A ka bërë Kadri Veseli kërkesë që të vijë në Kosovë? Flasin nga Haga

A ka bërë Kadri Veseli kërkesë që të vijë në Kosovë?

Ende nuk dihet nëse ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ka bërë kërkesë që të vijë në Mitrovicë, pas vdekjes së nënës së tij.

Demokracia.com ka pyetur në Gjykatën Speciale nëse është bërë kërkesa nga ana e Veselit, megjithatë të njëjtit nuk janë përgjigjur në këtë pyetje.

Zëdhënësi Michael Doyle ka thënë se të paraburgosurit kanë të drejtë të bëjnë kërkesa të tilla dhe se paneli vendosë për to.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, gjithçka që mund t’ju them në këtë pikë është se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për çdo kërkesë të tillë”, ka thënë ai.

Doyle për Demokracia.com ka shtuar se të gjitha informacionet e fundit lidhur me këtë çështje do të bëhen të ditura në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Kadri Veseli brenda gjashtë muajsh ka humbur të dy prindërit, teksa po mbahet i paraburgosur në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai nuk ishte në Kosovë në asnjërin rast.

Pasi i vdiq babai, Veseli u lejua të merrte pjesë në të pame dhe më pas nën mbikëqyrjen strikte u kthye sërish në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Fazli Veseli vdiq më 7 korrik të vitit të kaluar, në moshën 94-vjeçare.

Në Hagë, Veseli mori të premten edhe lajmin për vdekjen e nënës së tij, Ajshes, e cila u varros dje.

Lajme me shume...