A pse po i jep Rama apo sepse janë të Kinës? Pse po i refuzon Albin Kurti vaksinat?


Pse po i refuzon Kurti vaksinat?

Rikthimi i Albin Kurtit në pushtet i ka vënë sërish në provë marrëdhëniet me Shqipërinë, ku ai dhe Edi Rama nuk kanë qenë gjithmonë në të njëjtin mendim. Ata tashmë nuk janë as vetëm dhe thjesht homologë, por kundërshtarë politikë, meqenëse LVV-ja është përfshirë edhe në skenën politike të Tiranës.

Së fundmi, Kurti ka refuzuar t’i vaksinojë mësimdhënësit kosovarë me vaksinat e kompanisë kineze, Sinovac, të cilat i posedon Shqipëria, ndonëse Kosova është shumë prapa me sigurimin e vaksinave dhe numri i vdekjeve nga Covid-19 mbetet i lartë.

Albin Kurti, i cili ka premtuar se deri në fund të këtij viti do të vaksinohen 60% e popullsisë në Kosovë, në konferencën e fundit për shtyp bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është ankuar për vështirësitë lidhur me sigurimin e vaksinave, duke përmendur si pengesa Rusinë dhe Kinën.

“Në parim duhet ta kemi parasysh se Republika e Kosovës, duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë, në mesin e të cilave janë edhe dy fuqitë e mëdha që janë dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej siç po bëjnë disa shtete të tjera”, tha Kurti.

Ai pranoi se i kishte kërkuar Ramës ndihmë për t’i vaksinuar mësimdhënësit e Kosovës, e jo vetëm të punëtorëve shëndetësorë, disa prej të cilëve veçse ishin vaksinuar paraprakisht në Shqipëri. Paraprakisht, Edi Rama kishte thënë se Kurti i kishte çuar mesazh për t’i kërkuar ndihmë. “Po i thashë, patjetër”, u shpreh Rama.

“Kam qenë në kontakt me kryeministrin e Shqipërisë lidhur me çështjen e vaksinimit në Kukës ku kemi kërkuar që kjo tu mundësohet edhe mësimdhënësve, jo vetëm punëtorëve shëndetësorë por për këtë gjë më pas kanë vazhduar komunikimin e tyre ministrat përkatës, Vitia dhe Manastirliu”, tha Kurti.

Ndërsa Vitia, i cili për këtë kishte biseduar më gjatë me ministren e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, tha se atje kanë mbetur vetëm doza të vaksinës së kompanisë kineze, Sinovac, dhe se për këtë arsye nuk ka ndodhur vaksinimi i mësimdhënësve.

“Në fillim nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur një ofertë gjeneroze që të vaksinohet stafi mjekësor me vaksinat Pfizer ose AstraZeneca në territorin e Shqipërisë ku ne do të organizonim procesin e vaksinimit dhe të transportit të organizuar”, tha Vitia. “Por fatkeqësisht vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca kanë mbaruar në Shqipëri dhe ka mbetur vetëm Sinovac me prodhim nga Kina. Për arsye që ne në Republikën e Kosovës edhe po të donim na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara nga EMA, në këtë situatë nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksina që ne nuk mund të garantojmë për to, duke mos qenë të regjistruara në Kosovë”.

Këtë veprim të Qeverisë e kanë kritikuar dy ish-bashkëpartiakët dhe bashkëpunëtorët disavjeçar të kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ahmeti ka thënë se vaksina e prodhuar nga kompania kineze, Sinovac, është ndër më të shtrenjtat në treg. “Nuk po them se duhet të blejmë vaksina kineze, por në situatë lypësi vështirë është me arsyetu zgjedhësin. Nuk besoj se Turqia me një ndër sektorët më të fortë shëndetësor në botë do të rrezikonte stafin e vet mjekësor me 3 milionë te vaksinuar punëtorë shëndetësorë. E Hungaria, Çekka e Polonia edhe më pak”, shkroi ai.

“E SHBA asnjëherë nuk ka thënë se askush nuk duhet t’i blejë ato. ShBA deri në qershor do të ketë vaksina sa për krejt popullaten”, theksoi Ahmeti.

Refuzimi duhet të arsyetohet më mirë në kohën kur ka rreth 15 viktima të koronavirusit në ditë, vlerëson kryetari i kryeqytetit. “Ky nuk është shpjegim i duhur për familjet e tyre dhe punëtorët e tjerë arsimor”, tha Ahmeti.

Ndërsa Molliqaj tha se për vaksinimin, bota ka qasje tjetër në krahasim me Kurtin.

“Bota perëndimore nuk po tregohet solidare dhe po përdorë vaksinat për vete. E qartë është se Kina dhe Rusia po e përdor vaksinën për politikë. Mos harroni se Kurti para zgjedhjeve ia dërgoi një mesazh Ramës, dhe ai duke qenë në garë zgjedhore vetë ia ktheu shpejt pa u menduar. Por kur Kurti u sigurua se nuk po shkojmë në zgjedhje mori vendim që mos të marrim vaksina”, tha Molliqaj mbrëmë, pas një aksioni ku vendosën grafite duke e quajtur ministrin Arben Vitia “Dr Hipokriti”.

Filozofi Dritan Dragusha, autor i emisionit “Prizma” ka shkruar të mërkuren se kryeministri që erdhi në pushtet pas fitores me mbi 50 për qind, nuk i pranoi vaksinat, sepse ato iu ofruan nga Rama që, sipas Dragushës, është kundështari i vetëm politik i Kurtit.

“Vaksinat kineze nuk u pranuan nga Kryeministri, jo se Kina nuk e ka njohur Kosoven, por se ato u ofruan nga kundershtari i vetem aktual politik i tij”

Përplasjet për mini-Shengenin

Përplasjet mes Kurtit dhe Ramës kulmuan në shkurt të vitit që shkoi. Kurti po e zhvillonte vizitën e tij të parë në Shqipëri si kryeministër i Kosovës. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të dy deklaruan gatishmëri reciproke për shpejtësinë e re të bashkëpunimit, por shprehën pikëpamjet e tyre krejtësisht të ndryshme për rrugën e këtij bashkëpunimi.

Kurti e pa këtë bashkëpunim në krijimin e makro-Shengenit shqiptar, që do të bënte të mundur, sipas tij, “bashkëpunimin mes dy vendeve me një shpejtësi të re”. Por kryeministri i Shqipërisë, Rama e pa ndryshe dhe më të gjerë bashkëpunimin. Ai kërkonte bashëpunim rajonal, i cili do të mbështetej te procesi i krijimit të mini-Shengenit, sipas modelit të Shengenit evropian.

“Nuk ka makro-Schengen shqiptar pa mini-Shengen ballkanik. Makro-Shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me Shengenin rajonal”, tha prerë Rama, duke konfimuar ndarjen e dukshme me homologun e tij nga Prishtina.

Qëndrimi i Kurtit ndaj projektit rajonal të mini-Shegenit ballkanik nuk ishte i befasishëm. Kosova e udhëhequr për pak kohë nga ai, kishte refuzuar të merrte pjesë në takimet për ta realizuar këtë nismë rajonale, të mirëpritur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti vs Rama në nivel ndërkombëtar

Edi Rama vazhdoi ta sulmonte homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, për shkak se ky i fundit e kundërshtoi nismën e mini-Shengenit, të cilës i kishte dhënë krah kryeministri i Shqipërisë.

Kurti s’u pajtua me insistim dhe këtë e tha edhe në Mynih, në konferencën e Sigurisë.

Rama e quajti Kurtin ‘ngatërrestar’ i cili sipas tij s’mund të ndalë idenë e lëvizjes së lirë në rajon.

“Unë jam i bindur që herët ose vonë Bashkimi Europian, Komisioni Europian do ta mbështesin patjetër këtë vizion sepse s’ka si të ndodhi ndryshe përderisa është një vizion që merr spunto nga katër liritë e vetë BE-së”, u tha Rama gazetarëve në Bruksel pas takimit informal me krerët e BE-së.

Ndërsa Kurti tha në Myhih se nuk beson në mundësi tjetër përveç anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, pati thënë Kurti.

Rama refuzon bashkërendimin me Kurtin mbi planin për luftimin e pandemisë

Përplasjet mes tyre vazhduan me të njëjtin intensitet, teksa Rama kishte refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim për të diskutuar mbi pandeminë.

Rama e kishte marrë ftesën në mes të marsit, në kohën kur të dyja vendet sapo kishin nisur përballjen me pandeminë.

“Sepse ishte formati i gabuar në momentin e gabuar”, ishte arsyetuar Rama në Pressing të T7. “Nuk doja të interferoja dhe të bëhesha sfondi i askujt kur në Prishtinë si gjithë planeti kishin hallin e pandemisë”.

Kurti pati deklaruar se takimin ja kishte propozuar me shkrim Ramës, duke qenë se mbledhja e përbashkët e dy qeverive tashmë ishte bërë e pamundur.

Takimi i ftohtë në Prishtinë

Disa muaj pas vizitës në Tiranë, Albin Kurti u bë nikoqiri i Edi Ramës në Prishtinë.

Teksa Rama erdhi në Kosovë për një vizitë zyrtare pas publikimit të akt-akuzave ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kreun e Nismës, Fatmir Limaj, u prit në një takim edhe nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Gjatë takimit me Kurtin nuk ka pati shtrëngim duarsh, natyrisht arsyetuar me masat anti-Covid.

Në një moment, teksa Kurti nis t’i prezantonte njerëzit që i kishte në krah, Rama mbante kokën mënjanë dhe nuk nxirrte asnjë fjalë nga goja.

Lëvizja e Kurtit është kundërshtare e Edi Ramës dhe Partisë së tij Socialiste në Tiranë. Dega e LVV-së në Shqipëri jo vetëm që është bërë pjesë e skenës politike të Shqipërisë, por do të garojë me tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare atje, që mbahen më 25 prill.


Na lexoni...

Edhe informacione tjera

Mundesia me shume...
Pamje me shume...