Abdixhiku: Kurti nuk po guxon të marrë vendime, po e ndan presionin me Kuvendin

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për çështjen e Rezolutës për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë ka folur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përcjell albinfo.ch.

Abdixhiku ka thënë se qëndrimi i LDK-së në këtë çështje është i ditur.

“Kjo nuk ka nevojë për trajtim të shumtë dhe parlamentar. Për LDK-në, mbajtja e referendumit të një shteti tjetër është çështje e mbyllur para se të nis. Përveçse jo-kushtetuese, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare dhe në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë. Në rastin specifik, referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovës dhe rendin tonë kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se Rezoluta s’ka kurrfarë fuqie, dhe një një situatë të tillë Kurti e ka obligim kushtetues që të veprojë për të siguruar mos-cënimin e integritetit territorial.

“LDK mirëpret respektimin e Kushtetutës, ky është qëndrimi ynë politik. E paqartë mbetet nevoja e kësaj seance dhe nxjerrja e një Rezolute. Këtë s’mund ta kuptoj dot.

Kryeministri ka obligim kushtetues të zbatojë pa hezitim mekanizmat që sigurojnë rendin kushtetues. Rezolutat janë shprehje e vullnetit politik që është shprehur publikisht dhe këto vullnete politike nuk guxojnë të definojnë vullnetin tënd kushtetues. A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet, e që s’ta jep përgjegjësia kushtetuese. Nëse në këtë seancë është provuar që të luhet pak shfaqje e fajësime, e shumë dramë, duhet ta kuptoni kryeministër për dallim nga praktikat destruktive në këtë Kuvend sa herë që Kosova është përballur me Serbinë, LDK refuzon të shkaktojë përçarje. Ne shohim përtej ngushtisë partiake”, ka thënë Abdixhiku.

Madje ai tha se një gjë është e qartë në këtë mes, se Kurti nuk po guxon të marrë vendim.

“Kryeministri nuk po guxon të marrë vendim. Ka zgjedhur Kuvendin ta ndajë presionin. Si duket, si me çdo temë. Ai nuk po arrinë t’i jap zgjidhjeve problemeve. Këto probleme që nuk zgjidhen me kohë, krijojnë situata tensioni”, ka thënë Abdixhiku.

“Në muajt në vijim, përplasja me faktorin ndërkombëtar do të vazhdojë. Ndërtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”, tha kreu i LDK-së.

The post Abdixhiku: Kurti nuk po guxon të marrë vendime, po e ndan presionin me Kuvendin appeared first on Albinfo.

Lajme me shume...