Aksidente tragjike, 4 të vdekur brenda 24 orëve në Kosovë

Tre të vdekur dhe mbi 1 mijë raste me COVID në Shqipëri

4 vdekjet tragjike brenda 24-orëve në Kosovë

Katër kosovarë kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë. Dy mërgimtarë nga Malisheva kanë vdekur në një aksident tragjik në Podujevë, një burrë nga Deçani ka vdekur pas lëndimeve nga sëpata, e një 42 vjeçar në Pejë ka rënë nga kati i pestë i një objekti. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të këtyre tri rasteve tragjike, që tronditën vendin.

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një çift mërgimtarësh që po vinin nga Sllovenia në Kosovë për pushime, ka gjetur vdekjen. Aksidenti ndodhi mes një autobusi dhe veturës, ku ndodheshin katër anëtarë të familjes Sopaj nga Malisheva.

Kryefamiljari Shemsedin Sopaj, i moshës 36-vjeçare dhe bashkëshortja e tij 35-vjeçare, identiteti i së cilës s’është bërë i ditur ende, vdiqën, e dy fëmijët të moshës 4 dhe 5-vjeçare morën lëndime të rënda.

Detaje rreth këtij aksidenti dha zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Për gjendjen e fëmijëve është deklaruar Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.

Syla ka treguar se se gjendja e tyre është stabile, por se kanë lëndime të rënda.

Ai ka treguar se mosha e fëmijëve është 4 dhe 5 vjeç.

“Që të dy janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente. Janë kryer disa ekzaminime mjekësore të cilat kanë qenë të nevojshme dhe për momentin gjendja e tyre është stabile, mirëpo kanë lëndime të rënda”, tha Syla për Express.

E nga Zyra për Informim e QKUK’së kanë thënë për Express se njëri nga fëmijët po trajtohet në neurokirurgji, e tjetri në ortopedi.

“Zyra për informim ju konfirmon se dy fëmijë pas aksidentit kanë kërkuar ndihmë mjekesore emergjente në Klinikën Emergjente. Pas trajtimit emergjent janë transferuar për trajtim të mëtejmë. Njëri në neurokirirgji dhe tjetri në ortopedi”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK’së.

Te ta ka shkuar për vizitë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Ai ka publikuar disa fotografi me familjarët, derisa u ka shprehur ngushëllime.

Ndërkohë, në shtëpinë e familjes Sopaj në Malishevë, tashmë është hapur e pamje.

Gazetarja e T7, Elena Ukaj, po qëndron atje, prej ku raportoi më herët se kanë nisur të mblidhen familjarë e miq të familjes.

Kjo s’është tragjedia e vetme që ka ndodhur sot në vend. Një person i moshës 42 vjeçare ka vdekur në orët e para të së premtes në Pejë, pasi i njëjti ka rënë nga kati i pestë i një objekti.

Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor, i cili ka dalur në vendin e ngjarjes.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi.

“Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ në Pejë. Jemi informu në ora 02:27 minuta dhe jemi përgjigjur menjëherë. Personi është dërguar në Emergjencë e më pas në Prishtinë. Tutje çështja i ka kaluar prokurorisë”, tha Gashi.

Një vdekje tjetër ka ndodhur në Komunën e Deçanit. Një burrë atje ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, derisa ishte duke prerë dru në pyll.

Siç njofton Policia e Kosovës, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa trupi i tij është dërguar për obduksion.

Ngjarja ka ndodhur të enjten, pasdite.

“Deçan 28.07.2022 – 19:45. Një mashkull kosovar dyshohet se ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë pasi ka pësuar lëndime trupore gjatë prerjes së drurëve në pyll. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në raport.