Aksidenti ku vdiqën burrë e grua, arrestohet shoferi i autobusit në të cilin u përplas vetura

Arrestohet shoferi i autobusit në të cilin u përplas vetura e familjes Sopaj

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Podujevë, ku Shemsedin Sopaj, i moshës 36-vjeçare dhe bashkëshortja e tij 35-vjeçare, identiteti i së cilës s’është bërë i ditur ende, vdiqën, e dy fëmijët të moshës 4 dhe 5-vjeçare morën lëndime të rënda.

Në këtë aksident përveç veturës është përfshirë edhe një autobus, shoferi i të cilit është arrestuar.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ajo tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Ju njoftojmë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me policinë, sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person i dyshuar, shoferi i autobusit”, tha Ulaj.