Akuza të rënda për ministren Gërvalla

Sot është mbajtur seancë plenare.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, u miratua sot me 64 vota pro, raporti me rekomandime lidhur me raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës për 2020.

Në seancë nuk ishte e pranishme ministrja Donika Gërvalla, për çka deputetët adresuan kritika.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës pyeti se a është shkarkuar ministrja Gërvalla pasi ajo sipas tij nuk është parë aktive as brenda e as jashtë vendit.

“Ndoshta e kanë shkarkuar, po nuk qenka kryeministri këtu, ndoshta është e shkarkuar Donika se më të vërtetë nuk e kemi pa aktive as brenda vendit e as jashtë vendit. Mendova mos është në ndonjë fushatë, po as në fushatë nuk e ka pa.

Ndoshta është mirë të na tregoni që të mos i biem në qafë”, tha ai.
Për shkak të mungesës së ministres Gërvalla, Grupi Parlamentar i AAK-së nuk e ka votuar raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës për 2020.Ndonëse mungonte për shkak të vizitës zyrtare në Kanada, ministrja Gërvalla kishte autorizuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që të paraqiste veprimet që janë ndërmarrë në raport me të gjeturat.

“Këtu u tha se mos vallë ministrja Gërvalla është e shkarkuar. Është mirë që të gjithë ata të cilët ngjallin shpresa të rrejshme të mos e bëjnë një veprim të tillë, pasi që ballafaqimi me realitetin dhe zhgënjimin do të jetë shumë i madh. Ministrja Gërvalla ndodhet për vizitë zyrtare në Kanada në koordinim të plotë me presidenten dhe kryeministrin e vendit”, tha ai.

Lajme me shume...