Albin Kurti: Duam dhe duhet t’i thellojmë marrëdhëniet e shkëlqyera me Gjermaninë

“Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk nxiten vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga lidhjet e palëkundura kulturore dhe historitë familjare”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në “Natën verore të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim”.

Sipas komunikatës qeveritare, Kurti ka deklaruar se bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim jo vetëm që përfaqëson interesat e qeverisë gjermane në Kosovë, por edhe dëshirën e mbi 400 mijë pjesëtarëve të mërgatës në Gjermani për ta parë Kosovën si pjesë integrale të komunitetit evropian.

“Kryeministri Kurti theksoi se ne kemi arritur shumë si shoqëri falë partnerëve tanë gjermanë dhe ka shumë për t’u pritur për zhvillim dhe bashkëpunim. Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë, kryeministri tha se po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që paguajnë taksat e tyre dhe kontribuojnë për një shoqëri më të fortë, të drejtë dhe më të barabartë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim pa u lodhur dhe në mënyrë transparente – duke i bërë përpjekjet dhe punën tuaj më të qëndrueshme dhe efektive, potencoi ai”, thuhet në njoftim.

Kurti ka folur edhe për vizitën e Kancelarit të Gjermanisë në Kosovës, Olaf Scholz.

“Më pak se dy javë më parë patëm një vizitë historike të Kancelarit gjerman Scholz këtu në Prishtinë. Dhe “përveç temave të rëndësishme rajonale, ne theksuam edhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe se si duam dhe duhet t’i thellojmë ato edhe më tej me projekte të përbashkëta, tha kryeministri. Projekte që janë të qëndrueshme dhe ku populli i Kosovës është përfituesi i vërtetë përfundimtar, shtoi ai. Gjermaninë dhe Kosovën i bashkojnë të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë, të begatë dhe paqësore dhe ne jemi të lumtur që kemi partnerë si GIZ dhe KfW për të na ndihmuar në arritjen e këtyre synimeve, tha kryeministri”, thuhet tutje në komunikatë.

Kjo mbrëmje u organizua nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, së bashku me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Banka Gjermane për Zhvillim.