Albulena Haxhiu tregon se kush do të nisë Vettingu fillimisht

Kurti njofton se javën tjetër do t’ua dorëzojnë ofertën veteranëve të UÇK-së

Nga kush do të nisë Vettingu fillimisht – flet Haxhiu.

Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sapo është kthyer nga seanca plenare e Venecias, në të cilën janë votuar koncept opinionet edhe për këtë çështje.

Haxhiu njoftoi se këto nisma janë mbështetur nga anëtarë të Komisionit të Venecias dhe ka zbuluar një pjesë të draft-opinionit.

“Në draft-opinionin, që së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas. Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, niveleve të larta, pra duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive themelore. Për të vazhduar më pas me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshillat tashmë të verifikuar”.