Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me rastin e Ditës së Evropës tha se e ardhmja e Kosovës është në BE, dhe nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane.
Ai tha se BE është krenare për progresin që ka shënuar Kosova.
“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfide, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.
Ai bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjen e progresit në rrugën e saj evropiane.
“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog.