Amviset prijnë me numrin e vaksinimit

Kosova s”ka institucion të veçantë për trajtimin psikiatrik për të burgosurit

Amviset po dalin të jenë personat që po vaksinohen në numër më të lartë.

Procesi i vaksinimit anti COVID-19 në Kosovë po zhvillohet me intensitet të lartë.

Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i dozave të administruara ka arritur në një milion e 100 mijë.

E nga më të vaksinuarit, sa i përket profesionit, janë amviset, me gjithsej 190 mijë e 496 amvise të vaksinuara.

Edhe pse në disa ka skepticizëm për vaksinat, dhe kryesisht mendohet se ata që janë në punë kanë më shumë presion të vaksinohen, del se amviset lënë mbrapa pensionistët dhe të punësuarit me numër të vaksinave.

Flakë Ymeri, sociologe, këtë rekord të amviseve e arsyeton me kujdesin dhe dashamirësinë që nënat kanë ndaj anëtarëve tjerë të familjes.

“Kujdesi që gratë kanë për familjen dhe duke e ditur se ato ndjejnë përgjegjësinë, është njëri nga faktorët që amviset janë vaksinuara në shifra të larta, sepse në vetëdijen e tyre duhet të jenë të forta dhe mbrojtura, në mënyrë që në situata kur familjarët mund të infektohen nga COVID-19, ato të jenë të imunizuara dhe të ndihmojnë familjen që të përballojnë më lehtë sëmundjen”, tha Ymeri për Klankosova.tv.

“Gratë amvise kanë treguar një vetëdijësim, duke dashur veten e familjen e tyre”, shtoi sociologia.

Por, kur shihet ana tjetër e medaljes, kjo shpërfytyron numrin e amviseve dhe të papunëve në Kosovë – shifër kjo që është e lartë në nivel vendi.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, niveli i punësimit te gratë është 14.1 përqind, ndërsa tek burrat dukshëm më i lartë, me 42.8 përqind.

Nga shifrat e te papunëve, papunësia më e theksuar ishte te femrat me 32.3 përqind, krahasuar me meshkujt, 23.5 përqind.

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore në vitin 2020, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë me 61.7 përqind, me fokus të veçantë te gratë me 79.2 përqind, krahasuar me burrat, prej 44 përqind.

Numri i të papunëve të vaksinuar të paktën me një dozë është 59 mijë e 146, ndërsa i të punësuarve është 41 mijë e 979.

Studentët po ashtu duket se po tentojnë të imunizohen, në mënyrë që të lejohet fillimi i mësimit fizikisht pasi që ata renditen të tretët në listë, me 92 mijë e 69 të vaksinuar.

Ekonomistët po ashtu hyjnë në listën e dhjetë profesioneve më të vaksinuar me 33 mijë e 751 të kësaj kategorie të vaksinuar.

Numri i infermierëve të vaksinuar ka arritur në 19 mijë e 966.

Ani pse është bërë presion ndaj mësimdhënësve që të vaksinohen, skepticizmi i tyre ndaj vaksinës ka bërë që ata të renditen të dhjetit në listë, me vetëm 14 mijë e 379 të vaksinuar.