Andrea Pirlo ende beson te titulli


Trajneri i njohur, Andrea Pirlo ende beson te titulli.

Menjëherë pas barazimit në transfertën ndaj Veronës, Juventusi ka mundësi të rikthehet te fitorja në kampionat, pasi do të presë nesër në mbrëmje Spezian e Vincenzo Italianos, në një ndeshje ku 3-pikët janë detyrim për bardhezinjtë.

Trajneri Andrea Pirlo doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp dhe foli me superlativa për kundërshtarin, duke kërkuar impenjim maksimal nga të tijtë, teksa theksoi se ekipi beson ende te titulli kampion.

“Spezia është një skuadër që ka treguar se është në lartësinë e Serisë A, pasi ka ditur të marrë rezultate edhe ndaj ekipeve shumë të forta, ndaj duhet të bëjmë shumë kujdes nesër. Skuadra beson ende te titulli dhe këtë e shoh te serioziteti me të cilin punojnë djemtë çdo ditë, por për momentin duhet të mendojmë vetëm për Spezian”, deklaroi Pirlo.

Në fundjavë bardhezinjtë i pret një tjetër përballje e vështirë, ajo ndaj Lazios në “Olimpico”, megjithatë Pirlo mohoi mundësinë e një rotacioni ndaj Spezias, pasi theksoi se zgjedhjet do t’i bëjë vetëm në bazë të organikës.

“Zgjedhjen e formacionit ndaj Spezias do ta bëjmë në bazë të lojtarëve që kemi në dispozicion, jo të ndeshjes së fundjavës. Na është rikthyer Danilo dhe tani kemi mundësi të luajmë edhe me 4 mbrapa, megjithatë kemi ende probleme në sulm. Në krah të Ronaldos besoj se do të luajë sërish Kulusevksi, pasi Chiesa po bën shumë mirë në krah dhe nuk kam ndërmend t’i ndryshoj pozicion”, tha trajneri i Juventusit.


Mundesia me shume...
Pamje me shume...