Anulimi i konkursit për punësim, reagon sindikata e punëtorëve të KEK-ut

Ditë më parë është anuluar konkursi i punësimit nga KEK-u.

Sindikata e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka mirëpritur vendimin për anulimin e konkursit të shumëpërfolur për punësime familjare dhe të militantëve të VV-së në KEK.

Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, tha se KEK-u gjithmonë ua ka parë sherrin partive politike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Gjithherë ka ndodhur kështu. Që nga paslufta janë punësuar njerëz të partive politike, njerëz që kanë pasur familjarë të tyre. Kështu po ndodhë edhe sot. Kështu që nuk kemi ndonjë shpresë të madhe që do të rregullohet gjendja ani pse është anuluar konkursi”, ka thënë Llumnica në RTV Dukagjini.

”Në KEK i kemi 5300 vende të punës por të punësuar janë 3 mijë e 600 punëtor kështu që kemi rreth 1 mijë e 700 mungesë. Edhe konkursi që është anuluar do të shtyjë edhe më shumë këtë proces dhe kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët aktual sepse ata punojnë më shumë se sa duhet për shkak të mungesës së punëtorëve”, tha ai.

Kujtojmë se Korporata Energjetike e Kosovës e ka anuluar konkursin e shumëpërfolur për punësime familjare të anëtarëve të Bordit të KEK-ut dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky vendim është marrë pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit.

Kështu, konkursi është anuluar për të gjitha pozitat e shpallura për 127 vende të lira pune.