Anulimi i konkursit të KEK’ut, vjen reagimi nga LDK-ja

Vuçiq: Perëndimi do t’na bëjë presion ta njohim Kosovën

LDK ka reaguar pas anulimit të konkursit të KEK-ut.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pasi Korporata Energjetike e Kosovës ka anuluar sot konkursin, ku raportohej për punësime masive të militantëve të Vetëvendosjes.

Halimi ka thënë se LDK’ja reagoi me kohë dhe deponoi “edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi që kishte vlerësuar se 128 të pranuarit nga konkursi kanë lidhje familjare me zyrtarët në këtë ndërmarrje si dhe janë militantë e të afërm me partinë në pushtet”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“LDK, për skandalin e punësimeve në KEK kishte reaguar me kohë, ku për më tepër kishte deponuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi që kishte vlerësuar se 128 të pranuarit nga konkursi kanë lidhje familjare me zyrtarët në këtë ndërmarrje si dhe janë militantë e të afërm me partinë në pushtet. Ndërsa më shumë se 4500 personave të tjerë të cilët kishin aplikuar në të njëjtin konkurs u ishte bërë e padrejtë dhe ishin penalizuar për shkak të mosafërsisë me zyrtarët e KEK-ut dhe me pushtetin”, ka shkruar Halimi.

Ajo ka thënë se LDK do ta përcjellë me kujdes të shtuar mbarëvajtjen e këtij konkursi si dhe të çdo konkursi tjetër.

“Vendi ynë dhe qytetarët tanë meritojnë drejtësi, ndaj ne do të jemi bashkë me ta në këtë të drejtë të merituar. LDK do ta përcjellë me kujdes të shtuar mbarëvajtjen e këtij konkursi si dhe të çdo konkursi tjetër. LDK do të zhvilloj një betejë të paepur në mbrojtje të të gjithë atyre që u mohohet e drejta në të gjitha rastet”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës e ka anuluar konkursin e shumëpërfolur për punësime familjare të anëtarëve të Bordit të KEK-ut dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky vendim është marrë pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit.
Kështu konkursi është anuluar për të gjitha pozitat e shpallura për 127 vende të lira pune.

“Sot ka përfunduar punën komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjorë i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjorë i KEK-ut. Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet më tutje aty.