Arieta Vula-Pozhegu: Industria kosovare e drurit, konkurruese në Evropë

Kosova ka potencial për zhvillim ekonomik në disa sektorë industrialë, që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Një ndër to është edhe industria e përpunimit të drurit. Me rritjen e eksporteve, numrin e kompanive përpunuese të drurit, numrin e të punësuarve që ka ky sektor, industria e drurit duket mjaft premtuese për t’u zhvilluar edhe më shumë në vitet në vazhdim.
Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë është ajo që përfaqëson këtë industri që është në rritje e sipër. Shoqatën në fjalë e udhëheq një grua, e cila ka thyer “rregullat” e arenës së “rezervuar” për burra. Kjo është Arieta Vula – Pozhegu, e cila në një intervistë për Albinfo.ch, ka treguar përvojën personale se si arriti të vijë në krye të kësaj shoqate, pastaj flet lidhur me atë se sa është konkurrente në rajon industria e drurit që zhvillohet në Kosovë, lidhur me eksportin e kësaj industrie, bashkëpunimet me shtetet e “diasporës kosovare”, e shumë detaje të tjera.

Albinfo.ch: Si erdhët në krye të kësaj shoqate, ndoshta edhe mund të themi “në arenën e rezervuar” për burra?

Arieta Vula – Pozhegu: Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë është themeluar në dhjetor të vitit 2004, ndërsa në prill të vitit 2005 bordi i SHPDK-së përmes një konkursi kishte shprehur interesim për punësimin e një drejtori ekzekutiv në SHPDK, përmes aplikimit. U ftova në intervistë dhe, pavarësisht konkurrencës, bordi vendosi që unë të udhëheq SHPDK.
Arsyeja pse bordi kishte vendosur për pranimin tim në punë ishte impresionimi i tyre me prezantimin e vizionit të kësaj industrie prej këndvështrimit tim! Por, të pranohesh mund të them nuk është mjaft e vështirë, mirëpo sfidat e të mbajturit të një pozite dhe angazhimet për të sjellë një shoqatë biznesi në një rang tjetër do thosha ishte puna më rëndë dhe me sfiduesja. Megjithatë, në fund mua më pëlqejnë sfidat dhe rreziqet. Nën adrenalinë, njerëzit janë më kreativë!

Albinfo.ch: Industria kosovare e drurit është një sektor që me vlera të larta të eksportit po ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Sa është konkurrente industria e drurit dhe mobilieve të Kosovës në tregun vendor dhe të huaj?

Arieta Vula – Pozhegu: Industria e drurit në Kosovë është mjaft konkurrente duke krahasuar produktet e prodhuara nga Kosova me ato që vijnë nga importi prej vendeve të ndryshme. Kjo ka bërë që sot shumë produkte siç janë: dollapë, kuzhina, dyer e dritare e artikuj tjerë te importohen në masën më të vogël të mundshme, pasi tregu vendor-puna e prodhuesve tanë e ka përmbushur nevojat dhe kënaqësinë e klientëve në Kosovë. Po ashtu, produktet e Kosovës gjithnjë e më shumë po dëshmojnë për një konkurrencë të mirë edhe në vendet e rajonit e në veçanti në vendet evropiane e më gjerë. Arsyeja e rritjes së tregut në vendet e BE-së është kualiteti, koha e dërgesës, çmimet konkurrente dhe faktorë tjerë që kompanitë prodhuese tashmë kanë zgjeruar tregun në këto shtete.

Albinfo.ch: Tash e disa vjet kemi parë që industria e drurit ka pasur një hov të jashtëzakonshëm sidomos në tregun evropian, veçanërisht në shtetet gjermano- folëse si: Zvicra, Gjermania e Austria. Cilat mendoni se kanë qenë arsyet e suksesit?

Arieta Vula – Pozhegu: Diaspora dhe shpirti ndërmarrës shqiptar luan rolin e rëndësishëm në këtë proces të dhënies së mundësisë së kompanive kosovare për të depërtuar në këto shtete, ato evropiane me theks të veçantë dhe tash së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora është katalizator i rëndësishëm i zhvillimit në eksport dhe investime, sepse vetëm të shikojmë gjeografikisht shtrirjen e shitjeve të prodhimeve tona kah janë më shumë në numër e vlerë, janë pikërisht vendet që ju cekët: Zvicra, Gjermania,
Austria, SHBA etj.

Albinfo.ch: Gjatë kësaj veprimtarie sigurisht që shihni edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen kompanitë përbërëse të shoqatës? Mund të na përmendi disa, apo vështirësitë më kryesore?

Arieta Vula – Pozhegu: Po, vështirësitë kryesore të sektorit tashmë janë tregu i pamjaftueshëm për shitjen e produkteve në Kosovë, në anën tjetër bëhet fjalë për vendin më të izoluar në Evropë, pa të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve. Kjo, në një kohë kur Kosova është vendi më i hapur në këtë rast, që pranon çdo lloj malli e produkti nga vendet shumë e shumë të zhvilluara se Kosova, me taksat e njëjta.
Pasojat pas-pandemike dhe ndikimi psikologjik te zvogëlimi i fuqisë blerëse në Kosovë kanë bërë që shumë kompani të ballafaqohen me qarkullim më të ulët, fitim më të vogël /pasi çdo ditë ka ngritje dhe luhatje të çmimeve për lëndën e parë duke shkuar prej 30% deri në 100% të vlerës më të lartë në furnizim me lëndë të parë. Po ashtu, furnizimi me lëndën e parë është bërë tashmë mjaft problematik dhe nuk është si kur kjo ofertë ishte përtej nevojave deri në kohën e pandemisë. Pra oferta për lëndë të parë në rritje ndërsa kërkesa me çmime e kushte të larta. Kompanitë janë munduar që të mos kenë aq shumë ndryshime në çmime pasi duke bërë përpjekje që shpenzimet tjera dhe ato operative t’i kenë në menaxhim më të mirë dhe duke ruajtur vlerën në këto kushte të papërshtatshme të tregut të furnizimit të zinxhirit prodhues.

Albinfo.ch: Cilat janë produktet e sektorit të drurit që kërkohen më së shumti për eksport?

Arieta Vula – Pozhegu: Kryesisht të gjitha produktet nga druri dhe materialet drusore janë të kërkuara për tregun e eksportit, mirëpo kompanitë e Kosovës ende kanë nevojë të zhvillojnë dhe rrisin kompaninë me potenciale më të mëdha si dhe të prodhojnë produkte nga druri të cilat ende nuk janë zhvilluar nga prodhuesit kosovarë siç janë: produktet e dyshemesë apo produkte të ngjashme.

Albinfo.ch: Sa kanë qenë shifrat e eksportit të vitit të kaluar dhe cili është dallimi me vitet paraprake?

Arieta Vula – Pozhegu: Eksporti fatmirësisht është rritur dhe shifrat tregojnë që nga viti në vit kemi rritje mesatarisht prej 50% më shumë. Mirëpo, shifrat duhet shikuar si diçka strategjike dhe planifikuese, meqenëse rritja vjetore deri 50% e eksportit është tregues që kjo industri po zhvillohet dhe produktet janë të kërkuara në tregun evropian e më gjerë. megjithatë duhen investime të vazhdueshme dhe të reja në këtë sektor.

Albinfo.ch: Pas dy vjetësh pauzë, në maj mbahet sërish panairi “Swissbau” në Basel. Sa kompani të kësaj industrie nga Kosova do të marrin pjesë dhe çfarë prisni nga ky panair?

Arieta Vula – Pozhegu: SHPDK si çdo herë është organizatore e grupit për pjesëmarrje në Swiss Bau. Këtë radhë kemi tetë kompani të cilat ekspozojnë produktet e reja dhe marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe dhe mjaft frytdhënëse. SHPDK ka përkrahjen në organizim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe nga USAID.

Sigurisht e gjithë kjo betejë bëhet për një shitje më të madhe dhe rritjen e eksportit nga kompanitë e Kosovës. Kompanitë kosovare janë në kërkim dhe urojmë t’i gjejnë partnerët e duhur bashkëpunues në Zvicër siç janë: agjentë shitjeje, tregtarë, kompanitë e ndërtimeve; sallonet e mobileve; disenjatorë dhe të ngjashëm. Unë jam më se e sigurt që kompanitë kosovare do të gjejnë partnerë në Zvicër për bashkëpunim afatgjatë dhe strategjik, me theks të veçantë ata nga Kosova që jetojnë e veprojnë në Gjermani dhe Zvicër.

Roli i diasporës dhe shpirti ndërmarrës i shqiptarëve

“Diaspora dhe shpirti ndërmarrës shqiptar luan rolin e rëndësishëm në këtë proces të dhënies së mundësisë së kompanive kosovare për të depërtuar në këto shtete, ato evropiane me theks të veçantë dhe tash së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora është katalizator i rëndësishëm i zhvillimit në eksport dhe investime, sepse vetëm të shikojmë gjeografikisht shtrirjen e shitjeve të prodhimeve tona kah janë më shumë në numër e vlerë, janë pikërisht vendet që ju cekët: Zvicra, Gjermania, Austria, SHBA etj.”.

Agnesa Qorri

The post Arieta Vula-Pozhegu: Industria kosovare e drurit, konkurruese në Evropë appeared first on Albinfo.