BE-ja në Kosovë: E ardhmja e Kosovës është në Union

“E ardhmja e Kosovës është në BE, dhe alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane, nuk kemi”, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e Deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme mes kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.

“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.

Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjene progresit në rrugën e saj evropiane.

“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog, duke shtuar se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe të gëzojnë siguri dhe liri të shprehjes.

2022 është Viti Evropian i Rinisë dhe shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për kremtimin e Ditës së Evropës janë të menduara për të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.

Bashkëngjitur do të gjeni pasqyrën e plotë të aktiviteteve të Ditës së Evropës të zbatuara në mbarë Kosovën.