Blinken autorizon vendet baltike të dërgojnë armatime në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të shtunën se ka autorizuar vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë që të dërgojnë në Ukrainë raketa anti-tank dhe anti-ajrore të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, një lëvizje që vjen në mes të tensioneve në rritje të Ukrainës me Rusinë.

“Përshpejtova dhe autorizova dhe ne mbështesim plotësisht transferimet e pajisjeve mbrojtëse që aleatët e NATO-s, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë po i ofrojnë Ukrainës për të forcuar aftësinë e saj për t’u vetëmbrojtur përballë agresionit të paprovokuar dhe të papërgjegjshëm të Rusisë,” tha zoti Blinken në një postim në Twitter.

Ai falënderoi gjithashtu këto ish-republika sovjetike dhe anëtare e NATO-s, “për mbështetjen e tyre për Ukrainën.”