Ç’dakordim në diplomaci: Osmani ia ‘hedh poshtë’ Gërvalles teorinë për njohjet e reja

Mes lotësh e dhimbjesh varrosen burrë e grua që vdiqën tragjikisht në aksidentin në Podujevë

Osmani ia ‘hedh poshtë’ Gërvalles teorinë për njohjet e reja

Çështja e njohjeve ndaj Kosovës, është një nga tematikat më të rëndësishme e cila përherë zë vend në diskutimet në sferën politike por edhe atë të mediave dhe organizatave që merren më politikat vendore.

Si e tillë, ajo vazhdimisht është pjesë edhe e fushatave zgjedhore politike, ku partitë dhe liderët e tyre premtojnë njohje të reja ose akuzojnë kundërshtarët e tyre për stagnim në këtë fushë, shkruan lajmi.net.

Në këtë vijë, kujtojmë që njohja e fundit të cilën Kosova e ka marrë është ajo e Izraelit e cila ka ardhur si rezultat i asaj që njihet si “Marrëveshja e Washingtonit”, e nënshkruar në shtator të 2020 nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Kësisoj, që nga ajo kohë, Kosova ka ngecur në këtë proces duke mos pranuar asnjë njohje të re.

Në lidhje me këtë, pra me njohjet e reja, kanë ardhur deklarata kundërthënëse nga qeveria e Kosovës, më saktësisht nga ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla.

Vetëm pak muaj më parë, vetë Gërvalla kishte deklaruar se ka lëvizje dhe hapje të marrëdhënieve të reja me shtetet që deri dje Kosova nuk është ulur as në tavolinë.

Deklaratë e cila, linte të nënkuptohej që Kosova mund të marrë një njohje të re.

Megjithatë, duke u bazuar në deklaratat e fundit të ministres, duket që ajo ka harruar ato që ka thënë më herët. Kjo pasi që, në deklaratat e fundit, Gërvalla, thotë se njohjet nuk janë elemente kryesore të politikës së jashtme.

Përveç kësaj, ministrja e jashtme vazhdon tutje duke deklaruar se, qeveria dhe ministria të cilën ajo e drejton është përqendruar më shumë në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që na kanë njohur, se sa në krijimin e lidhjeve apo njohjeve të reja.

“Ka një kohë që s’kemi njohje të reja. Por, njohja në vetvete nuk është elementi kryesor që e përcakton suksesin e politikes së jashtë të Kosovës. Jemi përqendruar fillimisht në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që veç i kemi njohjet formale, por s’kemi pasur shkëmbim dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të materializuara”, ka deklaruar së fundmi Gërvalla.

Kjo pasi që, siç deklaron kryediplomatja, njohjet e reja nuk kanë peshë më shumë se sa marrëdhëniet e mira me shtetet përkrahëse.

“Në politikën e jashtme të Kosovës nganjëherë marrëdhëniet edhe më të mira me shtetet përkrahës kanë më shumë peshë, se sa njohje të reja”, ka shtuar pos tjerash Gërvalla.

Por, përveç deklaratave kundërthënëse të Gërvallës të para disa muajsh dhe Gërvalles së sotme, është edhe deklarata e Presidentes Vjosa Osmani që bie në kundërshtim me ato të ministres së Jashtme.

Osmani në një deklarim të bërë pak ditë më parë thotë se, ajo ka biseduar me Sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken, për mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve të reja.

Deklaratë e cila bën të kuptohet se njohjet e reja kanë një rëndësi të madhe në forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sipas presidentes.

“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Duhet shtuar se politikat e jashtme të Kosovës, ashtu siç deklarohet me Kushtetutë nuk i përkasin vetëm ministrisë së Jashtme por edhe Presidencës.

Ajo çfarë mund të ngjallë shqetësim tek njohësit e politikës, partive politike por edhe tek të tjerët është fakti se sa mund të ketë Kosova sukses në arenën ndërkombëtare, kur dy figurat të cilat, mes tjerave kanë si përgjegjësi edhe politiken e jashtme, shprehen në kundërshti mes vete.

Një tjetër detaj që bie në sy, edhe pse nuk është i nivelit të deklaratave kundërthënëse të ministres dhe presidentes, është ai që Gërvalla është përfaqësuese e Listës “Guxo”, e cila ishte nisur nga Vjosa Osmani dhe se e cila tashmë është e regjistruar si parti, si dhe faktit se krerët e shtetit në vazhdimësi janë krekosur se kanë harmonizim të qëndrimeve e veprimeve mes vete.