Çdo i shtati qytetar në Kosovë ka një armë ilegale

Arta Nitaj nuk po njihet pa filtera, zhgënjen me pamjet nga fitnesi

Armët ilegale vazhdojnë të qarkullojnë në vendin tonë.

Në duar të qytetarëve të Kosovës, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë rreth 250 mijë armë ilegale.
Sipas eksperteve të sigurisë, kjo shifër paraqet rrezik për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Prandaj, bëjnë thirrje që institucionet e sigurisë të ndërmarrin një fushatë për legalizimin e armëve pa leje

Rastet e sulmeve me armë zjarri janë shpeshtuar së fundmi. E këto sulme nuk po kursejnë as Policinë e Kosovës.

Vetëm javën që e lamë pas, janë regjistruar dy raste kur qytetarët i kanë drejtuar armën Policisë së Kosovës.
Por, shqetësues është numri i madh i armëve që qarkullon në duart e qytetarëve.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë rreth 250.000 armë ilegale, të cilat janë në përdorim ilegal nga qytetarët.

Sipas kësaj shifre, i bie që çdo i shtati qytetar potencialisht mund të ketë një armë pa leje.

Sipas MPB-së nga hulumtimi i fundit janë rreth 100.000 armë ilegale më pak. Në kohën e hulumtimit të cilit i referohet kjo Ministri kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.

Deri në vitin 2010 sipas MBP-së rreth 35.000 armë janë regjistruar në administratën e UNMIK. Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës ka konfiskuar 6.538 armë pa leje.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti, në komisionin për Siguri dhe Mbrojtje ka deklaruar se me ligjet e Kosovës janë rreth 37 mijë armë të legalizuara, raporton TV Dukagjini.

Në vitin 2017 me qëllim të legalizimit të armëve ishte miratuar Ligji për legalizimin dhe dorëzimin e armëve.
Sipas MPB-së, gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar 2000 kërkesa për legalizim.

Numri kaq i vogël i kërkesave për legalizim të armëve, sipas njohësve të fushës së sigurisë, tregon se kjo strategji nuk ka funksionuar.

Drizan Shala thotë se në mënyrë që të rritet numri i armëve të legalizuar duhet të ndryshohet stretegjia në raport me qytetarët.

Drizan Shala, njohës i fushës së sigurisë, thotë se numri i madh i armëve pa leje po ndikon që të ketë shtim të numrit të incidenteve ku po përdoren armët e zjarrit. Në mënyrë që të reduktohet kjo dukuri ai kërkon që për armë-mbajtje pa leje të ketë dënime më rigoroze.

“Në mënyrë që të rritet numri i armëve të legalizuar duhet të ndryshohet stretegjia në raport me qytetarët”, ka thënë Shala.
Sa janë të rrezikshme armët, tregojnë instruktorët e armëve të cilët menaxhojnë edhe poligone të gjuajtjes.

Osman Hajrizi, instruktor për armë, ka treguar se trajnimet teorike dhe praktike janë shumë të rëndësishme në mënyrë që kandidatët të përvetësojnë aftësitë për përdorim.

Përpos kufizimit të llojeve të armëve, ndër to armët automatike, ligji për armët kërkon disa kritere në mënyrë që një qytetar të pajiset me leje për armë.

Aplikuesi duhet të jetë mbi moshën 21 vjeçare, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos ketë probleme me ligjin, të mos paraqesë rrezik për rendin dhe sigurinë publike. Po ashtu, kusht mbetet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.