Çfarë është këshilli i Evropës dhe çka do të përfitoj Kosova po u anëtarësua në këshill

Mashtroi për viza sllovene dhe grante në Ministrinë e Bujqësisë, arrestohet

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar janë vende anëtare.

Ndërsa, vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara. Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut.

Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës. Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit.

Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit. Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë. Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

Ndërkaq, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën.