Darka e Borellit konfirmohet me ballkanasit – nuk dihet a shkon kush nga Kosova

Akuzat e reja nga Specialja, Selimi: Nuk kam të bëj asgjë me krimet e prezantuara në aktakuzë

Konfirmohet darka e Borellit me ballkanasit – nuk dihet a shkon kush nga Kosova.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka konfirmuar për Gazetën Express se nesër shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell do të shtrojë një darkë joformale në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor. Stano në përgjigjen e tij s’ka dhënë detaje nëse kryeministri Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në darkën që do të organizohet në kryeqytetin evropian marrë parasysh faktin se shefi i qeverisë ndodhet për vizitë zyrtare në ShBA që nga e premtja.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, vazhdon me traditën e ftuarjes së liderëve nga Ballkani Perëndimor për një darkë joformale dy herë në vit për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet. Kjo përfshin situatën në rajon dhe në marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësimin në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Zakonisht pjesëmarrja është në nivelin e liderëve (Presidentëve) ose Kryeministrave. Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj (2021). Darka tjetër joformale do të mbahet në Bruksel nesër, e mërkurë, në mbrëmje”, tha Stano në një përgjigje me shkrim për Express.

Megjithëse pjesëmarrja në darkë është në nivel të presidentëve apo kryeministrave nuk dihet nëse Kurti apo Osmani do të jenë të pranishëm pasi që të dy ndodhen në Amerikë.

Nga zyra e kryeministrit Kurti s’janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express nëse ai do ta ndërpresë përkohësisht vizitën në SHBA për të qëndruar nesër në Bruksel në darkën e organizuar nga Borell.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm nesër në Bruksel me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell.

Darka e fundit joformale e shtruar nga Borell ishte në shtator të vitit 2021 në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

As shefi i politikës së jashtme, Josep Borell e as Emisari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak s’kanë arritur t’i ulin zyrtarisht në tavolinë kryeministrin Kurti dhe presidentin Aleksander Vuciq për një takim të nivelit të lartë që nga korriku i vitit të kaluar.

Megjithatë, një darkë pune u zhvillua në Berlin me ndërmjetësim të Kancelarit Scholz, ku Kurti e Vuciq u ulën në tavolinë së bashku me ndërmjetësin Lajcak.

Kurti u deklarua se darka ishte parapërgatitje për takim të kryenegociatorëve që zhvillohet të premten por jo edhe për takim zyrtar të liderëve të Kosovës e Serbisë.