Deklarohet zëdhënësi i Qeverisë për arrestimin e kameramanit: Sveçla i kërkoi IPK-së nisjen e hetimeve

Zëdhënësi i Qeverisë për arrestimin e kameramanit: Sveçla i kërkoi IPK-së nisjen e hetimeve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për arrestimin e kameramanit të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Albion Selitaj, teksa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërrmarrjes “AgroKosova Holding”.

“Liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre”, shkruan Kryeziu ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Institucionet e rendit dhe ligjit e kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe brenda kornizave ligjore, duke respektuar të drejtat e secilit e duke mbrojtur secilin nga padrejtësitë.

Ato duhet të synojnë gjithmonë mirëkuptim për punën e punonjësve të medieve dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim nga ngjarjet publike dhe me interes publik.

Pas rastit të sotëm me kameramanin e agjecisë së lajmeve EO, Ministri i Punëve të Brendshme menjëherë ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin. Policia e Kosovës është ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë tek qytetarët falë punës dhe angazhimit profesional të tyre që dëshmohet çdo ditë.

Liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre.