Dështon përfundimisht seanca e Kuvendit

Tensione para Kuvendit, shtyrje mes veteranëve dhe policëve

Pas dy ndërprerjeve të njëpasnjëshme, është vendosur që seanca e sotme e Kuvendit të mos vazhdojë. Kështu ka njoftuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Bllokim të seancës parlamentare nga opozita ka pasur sot dy herë gjatë ditës, të cilët kërkuan ndërprerjen e seancës, pasi nuk ka kushte normale derisa veteranët po protestojnë sot (e enjte) në oborrin e Kuvendit të Kosovës si formë kundërshtimi ndaj vendimit për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagë minimale.

Edhe pasi ata pranuan ftesën zyrtare nga këshilltarja e Kurtit për t’u takuar nesër me kryeministrin, protestuesit veteranë kanë kërkuar ndërprerjen përfundimtare të seancës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë të ditur që seanca e sotme nuk do të mund të vazhdojë. Megjithatë, ai i ka paralajmëruar veteranët se nuk do të mund t’i ndalojnë së funksionuari organet ligjore.