Dhuna ndaj gazetarëve në Kosovë u rrit gjatë vitit të kaluar, drejtësia hesht

Dhuna ndaj gazetarëve është rritur.

Numri i rasteve kur gazetarët janë sulmuar dhe kërcënuar është rritur gjatë vitit që shkoi në krahasim me 2020-ën.

Janë 27 raste të raportuara ose 6 më shumë sesa në vitin paraprak, derisa mbetet shqetësuese mos reagimi i organeve të drejtësisë.

Gazetarët gjatë raportimeve të tyre vazhdojnë të rrezikohen, duke u sulmuar në mënyra të ndryshme, qofshin fizikisht por edhe në forma të tjera psikike. Madje edhe kur raste raportohen në polici, shumica e tyre kalojnë vite që organet e drejtësisë nuk merren fare.

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi-Bojaj, thotë për KosovaPress, se që nga në vitin që lamë pas janë të raportuar 27 raste për sulme kundrejt gazetarëve.
Ajo thotë se shumë prej sulmuesve ende nuk janë vendosur para drejtësisë.

“Deri më tani janë raportuar 27 raste të sulmeve dhe kërcënimeve në drejtim të gazetarëve. Si shifër mundet me u dok shumë e vogël, mirëpo jemi duke folë për një vend, ku në anëtarësinë e AGK-së janë 800 gazetarë, ku nëse flasim për 27 persona po flasim për një 5% të gazetarëve të cilët janë të sulmuar, pastaj natyrisht ka edhe prej atyre rasteve që raportohen vetëm në polici, pra ka diskrepanca në mes asaj të AGK-së dhe policisë, ka gazetarë që nuk duan t’i bëjnë publike rastet edhe i raportojnë direkt në polici.

Kemi pas dy raste rishtazi ku e kemi marrë raportin nga policia, gazetarët kanë dashur të mbeten anonim, ne e dimë kush janë gazetarët, dhe policia i ka gjet sulmuesit apo kërcënuesit e tyre. Rasti më i rënd këtë vit, por nuk mund t’i kategorizojmë më i rënd sepse janë të gjitha sulme dhe ne avokojmë që të mos shkelen të drejtat e gazetarëve edhe sulmet janë të gjitha sulme megjithatë, mirëpo në fillim të vitit kemi rastin e gazetarit, Visar Duriqi d.m.th në shkurt të këtij vitit ku kemi pas pamje shumë të pakëndshme edhe për neve është shumë shqetësuese ku sulmuesit apo kriminelët ende nuk janë vendos para drejtësisë”, ka shtuar Mulliqi-Bojaj.

Lajme me shume...