Edhe për Thaçin mbrojtja po kërkon garanci nga Policia e Kosovës

Disa ish-ushtarë të UÇK-së, ende po vazhdojnë të jenë në Gjykatën e Hagës.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë lëshuar një urdhër për Policinë e Kosovës për t’u përgjigjur në detaje nëse ata mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të Veselit, Krasniqit e Selimit .

Kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe mbrojtja e ish – Presidentit Thaçi, ajo është duke u shqyrtuar ende nga Gjykata e Apelit.

Që nga arrestimi i tyre dhe dërgimi në qendrën e paraburgimit në Hagë, mbrojtja e Thaçit e të tjerëve nuk ndaluan kërkesat për klientët e tyre.
Për të disatën herë, ata kanë kërkuar që të akuzuarit të mbrohen në liri.

Kështu Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë lëshuar një urdhër për Policinë e Kosovës për t’u përgjigjur në detaje nëse ata mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Bëhet fjalë për Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Policia e Kosovës sipas urdhrit të lëshuar me 8 tetor nga gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou kanë dy javë kohë, prej kësaj date, që të përgjigjen për kërkesën e Dhomave të Specializuara për Kosovën.

Kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Por, siç konfirmohet për T7 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ajo është duke u shqyrtuar ende nga Gjykata e Apelit.

Tutje nga Dhomat e Specializuara thonë se ky urdhër nuk i referohet garancive të shtetit të tretë.
Se dallon garancia e dhënë nga Policia dhe garanica e vetë shtetit, e thotë edhe avokati i licencuar i Speciales, Taulant Hodaj.

Hodaj shton se përgjigjja e Policisë së Kosovës duhet të jetë më e detajuar, që të bindet gjyqtari i Procedurës Paraprake. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor të vitit të kaluar.