Ekspertët e OBSH-së nga 9 shtete arrijnë në Wuhan për të hetuar origjinën e koronavirusit


Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë arritur të enjten në Kinë për të nisur hetimin e shumëpritur për origjinën e koronavirusit.
Media shtetërore kineze ka raportuar për arritjen e një ekipi prej 10 ekspertësh në Wuhan më 14 janar. Ata pritet të qëndrojnë për një muaj në qytetin ku është identifikuar për herë të parë virusi në fund të vitit 2019.
Ekspertët – nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Gjermania, Japonia, Britania, Rusia, Holanda, Katari dhe Vietnami – do të fillojnë punën fillimisht në karantinë, dhe më pas do të zhvillojnë takimet me ekspertë kinezë përmes video-konferencave.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shprehur zhgënjim një javë më parë për vonesat e krijuara në organizim të këtij udhëtimi.
Ai ka thënë se shkencëtarët do të fokusohen në atë sesi koronavirusi ka kaluar në njerëz.
“Studimi do të nisë në Wuhan për të identifikuar burimin potencial të infektimit për rastet fillestare”, ka thënë Tedros.
Për orgjinën e koronavirusit ka ende spekulime. Disa besojnë në mundësinë e bartjes nga lakuriqi në njerëz, përmes blerjes së ndonjë kafshe tjetër të shitur për ushqim apo qëllime mjekësore në ndonjë treg në Wuhan.
Qeveria kineze ka promovuar teoritë se shpërthimi mund të ketë nisur me importe të ushqimeve të kalbura të detit, pretendim që është kundërshtuar nga shkencëtarë dhe agjenci ndërkombëtare.

The post Ekspertët e OBSH-së nga 9 shtete arrijnë në Wuhan për të hetuar origjinën e koronavirusit appeared first on Hapur.