Erion Veliaj: Tirana do t’i përfitojë 50 milionë euro në ditë gjatë “Sunny Hillit”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se Tirana do të përfitojë deri në 50 milionë euro në ditë nga festivali “Sunny Hill”, për të cilin organizatorët kanë marrë vendim të martën që të zhvendoset këtë vit në kryeqytetin e Shqipërisë, me arsyetimin se autoritetet në Kosovë nuk ia ndanë parcelën e premtuar prej 17 hektarëve në Bërnicë për 99 vjet shfrytëzim.

Veliaj në një intervistë për TCh të mërkurën, tha se përfitimet nga ky festival do të dyfishojnë ekonominë e Tiranës.

“Tirana prodhon zyrtarisht 20 milionë euro ekonomi në ditë dhe kur ka ndeshje si UEFA kjo dyfishohet, ne presim që ato 20 milionë euro që ekonomia e Tiranës i gjeneron në një ditë normale, t’i dyfishojë ato ditë, kështu që unë parashikoj që ne do të kemi një injeksion ekonomik, kur mendoj vaktet, hotelet, taksitë, sigurimi, higjinenën, kateringun, pra është një zinxhir ekonomik që punon, patjetër rreth 40-50 milionë euro shtesë në Tiranë” ka thënë Veliaj.

Më 2018, “Sunny Hill Festival” mblodhi rreth 50.000 njerëz edhe nga të Evropës. Më 2019, kjo shifër arriti në 60.000, me të pranishëm edhe nga Zelanda e Re dhe Australia.

Festivali i sivjetëm do të zgjasë katër ditë, nga 4 deri më 7 gusht, që i bie se për atë periudhë Tirana, sipas parashikimit të Veliajt, do të gjenerojë 200 milionë euro.