Escobar dhe Lajçak në Serbi: Dialogu është procesi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Gjatë vizitës në Beograd, Gabriel Escobar dëshiron që të takohet me sa më shumë aktorë politikë serbë, ka thënë parmes Twitter-it Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi.

Zëvendësndihmës – Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak janë në një vizitë dy-ditore në Beograd.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë duke bashkëpunuar ngushtë për realizimin e së ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë, si vizioni i tyre i përbashkët, ndërkaq përparimi në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella është një hap i rëndësishëm”, ka shkruar ambasada amerikane në një postim në Twitter.

Pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, Escobar dhe Lajçak janë takuar me shefin e diplomacisë serbe, Nikolla Selakoviq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takim me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Selakoviq tha se Serbia është e vendosur që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve fqinje dhe ka qëndrim të fuqishëm se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik demokratik.

Ai gjithashtu u tha bashkëbiseduesve se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi që do të jetë reciprokisht e pranueshme.

Selakoviq theksoi se gati nëntë vjet pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit, Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën e saj kryesore, që është formimi i Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në Bruksel në vitin 2013, ndërkaq një marrëveshje tjetër për të ishte arritur në vitin 2015.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës. Por, formimi i Asoaciacionit është kontestuar për shkak se ai nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna, në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në rastin konkret, komuniteti serb, raporton REL.

Shefi i diplomacisë serbe ka folur edhe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme të Serbisë në Kosovë. Ai tha se në dy dekadat e fundit, të gjitha ciklet zgjedhore të organizuara nga Beogradi janë zhvilluar në territorin e Kosovës, me ndihmën e OSBE-së.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të parakohshme në Serbi janë caktuar për 3 prill.

Në një referendum për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë më 16 janar, autoritetet e Prishtinës nuk lejuan serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë.

Daçiq kërkoi nga SHBA-ja dhe BE-ja të përdorin autoritetin e tyre ndaj Prishtinës

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar bashkëbiseduesit për zgjedhjet e ardhshme në Serbi, të cilat do të mbahen më 3 prill.

Ai ka shprehur besimin se zgjedhjet do të mbahen në territorin e Kosovës, duke kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja që të përdorin autoritetin e tyre për të ndikuar tek autoritetet e Prishtinës që ta mundësojnë një gjë të tillë.

Siç është thënë në një komunikatë të Parlamentit të Serbisë, Lajçak ka thënë se me vizitën e përbashkët me zëvendësndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit, duan t’i tregojnë të gjithë rajonit se BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtin vizion për Ballkanin, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se “dialogu është procesi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe ka theksuar se pas zgjedhjeve në Serbi, krijohet hapësira për intensifikimin e tij.

Siç është thënë, Lajçak ka deklaruar se qëndrimi i BE-së është që zgjedhjet të organizohen edhe në Kosovë dhe se për këtë është diskutuar gjatë vizitës në Prishtinë.

Escobar tha se dialogu me ndërmjetësimin e BE-së është i vetmi mekanizëm që mbështetë SHBA-ja për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Ndërmjetësi amerikan dhe ai evropian i kanë thënë Daçiqit se në të gjitha bisedimet që kanë pasur në Kosovë, kanë dërguar mesazh të qartë se Asociacioni duhet të formohet, si dhe të zbatohet gjithçka për të cilët është arritur pajtimi përmes dialogut.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka përcjellë para bashkëbiseduesve përkushtimin e Beogradit për vazhdimin e dialogut.

“Por, ai proces duhet të jetë paralel dhe nënkupton që Prishtina t’i përmbushë obligimet e marra nga procesi i dialogut, veçanërisht kur bëhet fjalë për formimin e Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Siç është thënë në komunikatë, ai ka shprehur shqetësim edhe për faktin se Kosova nuk po i zbaton vendimet e veta, sidomos kur bëhet fjalë për pronën e Manastirit të Deçanit.

Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me opozitën

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takuan gjithashtu me përfaqësues të opozitës në Beograd.

“SHBA-ja nuk mbështesin partitë politike në Serbi, por zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë së saj. Të gjithë aktorët në jetën e saj politike luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe e bëjnë vendin më të fortë”, tha ambasada e SHBA-së në Twitter.

Në bisedime me të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së ishin Marinika Tepiq nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, Mirosllav Aleksiq nga Partia Popullore, Nathan Albahari nga Lëvizja Qytetarët e Lirë, Dobrica Vesellinoviq nga “Le të mos e mbysim Beogradin”, si dhe Nebojsha Zellenoviq, president i “Së bashku për Serbinë”.

Partitë opozitare që bojkotuan zgjedhjet e mëparshme parlamentare, në qershor të vitit 2020, kanë shpallur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme të prillit. Shumica e opozitës bojkotoi zgjedhjet e fundit, duke besuar se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre të lirë dhe të ndershme.

Pas bisedimeve me presidentin serb Alleksandar Vuçiq, të mërkurën mbrëma, Escobar dhe Lajçak thanë se ishte vendimtare që të dyja palët të përmbushin të gjitha detyrimet nga dialogu.

Të enjten pasdite, më 3 shkurt, 2022, në fund të vizitës së tyre në Beograd, Escobar dhe Lajçak do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.