Fenomeni Burim Berisha, kandidati i vetëm në Kosovë që ka fituar mandatin e pestë

Kuvendi me kontratë 30 mijë euro për funizim me lule

Fenomeni Burim Berisha.

Burim Berisha zyrtarisht është kandidati i vetëm në Kosovë që ka fituar mandatin e pestë për të udhëhequr me Fushë Kosovën. Në komunat e tjera janë thyer bastionet e partive politike, siç ndodhi në Shtime me kryetarin Naim Ismajli, i cili pësoi disfatë pas 21 vitesh qeverisje.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, udhëhoqi me komunën për katër mandate, ndërsa rezultati i 14 nëntorit ia vulosi fitoren dhe mandatin e pestë me radhë.

Burim Berisha në tri mandate ka fituar bindshëm duke e marrë mandatin në raundin e parë të zgjedhjeve, pa balotazh. Ndërsa, në dy mandate, përfshirë këtë të fundit, Berisha e rikonfirmon fitoren në balotazh.

Mandatin e pestë Berisha e fitoi në balotazh me Enver Bajçincën e Lëvizjes Vetëvendosje. Berisha mori 66,04% të votave, duke lënë prapa Bajçincën e LVV-së me 33.9 %.

Sipas të dhënave, Burim Berisha në zgjedhjet e vitit 2017, kishte fituar pa balotazh me 63.84 për qind të votave.

Në zgjedhjet e vitit 2013, Berisha ka fituar në raundin e parë, pa balotazh me 64.33 për qind të votave.

Pa balotazh Berisha kishte fituar edhe në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2009 me 56.99 për qind të votave.

Kurse në zgjedhjet e vitit 2007 sipas KQZ-së në raundin e parë LDK kishte arritur të fitoj vetëm 35.02 për qind, kurse në raundin e dytë në balotazh Berisha kishte fituar me 55.77 për qind të votave duke lënë pas kandidatin e PDK-së Ahmet Krasniqi me 44.23 për qind.

Pasi rikonfirmoi fitoren, Berisha, u shpreh se nuk ka nder më të çmuar e përgjegjësi më të madhe se sa shërbimi ndaj qytetarëve.

“FALEMINDERIT FUSHË KOSOVË

Të nderuar qytetarë të Fushë Kosovës,

Faleminderit përzemërsisht për besimin e dhënë.

Nuk ka nder më të çmuar e përgjegjësi më të madhe se sa shërbimi ndaj jush. Përsëri triumfoi modeli ynë unik i qeverisjes së përbashkët.

Do të jetë mandat i synimeve ambicioze, projekteve të mëdha dhe transformimeve thelbësore. Fushë Kosova do jetë qendër moderne urbane me rëndësi e shtetit tonë të dashur Kosovës.

Vazhdojmë së bashku. Puna na pret”, u shpreh Berisha në Facebook, pas fitores së 14 nëntorit.

Lajme me shume...