Flasin nga Berlini nëse u çel tema e vizave për Kosovën në takimin Scholz-Macron

Gjykata Specialja deklarohet: Gucatit iu lejua vizita në Kosovë për arsye bindëse humanitare

Takimi Scholz-Macron, nga Berlini flasin nëse u çel tema e vizave për Kosovën.

Ndërrimi i kancelarëve në Gjermani ka rezultuar me forcimin e qëndrimit të Berlinit zyrtar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Koalicioni aktual qeverisës në krye me kancelarin Olaf Scholz e kanë të inkuadruar çështjen e vizave edhe në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Megjithatë qëndrimi skeptik i Francës së presidentit Macron vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore në rrugën drejt heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Por a ka qenë kjo temë diskutimi në takimin e fundit në Berlin në mes të kancelarit gjerman Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe a ka kërkuar shefi i qeverisë gjermane që Franca të shqyrtojë ndryshimin e pozicionit në përkrahje të Kosovës për liberalizimin.

Lidhur me këtë për Gazetën Express kanë folur nga Qeveria Gjermane, duke thënë se në parim nuk komentojnë përmbajtjen e bisedave konfidenciale.

“Nuk kemi cfarë të shtojmë në deklaratat e bëra në konferencën për shtyp të së hënës. Për më tepër, si çështje parimore ne nuk i komentojmë bisedat konfidenciale”, ka thënë për Express një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.

Tutje ky zëdhënës ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është edhe në kuadër të marrëveshje që ka koalicioni qeverisës në Gjermani, e ku nënvizohet rëndësia e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Keni parasysh se marrëveshja e koalicionit të qeverisë gjermane nënvizon rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka përfunduar ky zëdhënës për Express.

Kancelari gjerman e ka pritur më 9 maj në Berlin numrin një të Pallatit “Elysee”, me të cilin kanë diskutuar për situatën e sigurisë pas agresionit rus në Ukrainë.

Një nga tema te prekura ka qenë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku Scholz i ka kërkuar presidentit Macron që të hiqen të gjitha pengesat në rrugën drejt integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

“Takimi me Presidentin Macron synonte gjithashtu të dërgonte një sinjal të mëtejshëm të rëndësishëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor: “Ne i qëndrojmë premtimit tonë për anëtarësim”. Scholz bëri thirrje që pengesat ekzistuese të kapërcehen në frymën e përgjegjësisë evropiane dhe racionalitetit gjeostrategjik. Ai shtoi: “Të dy jemi dakord që Ukraina i përket Evropës”, thuhet në faqen e Qeverisë Gjermane ku njoftojnë për pikat kryesore të diskutimit Scholz-Macron.

Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë kosntatuar prej vitesh se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave. Megjithatë tashmë çështja ka mbetur në dorë të shteteve anëatre, dhe brenda tyre ka shtete të mëdha që janë skeptike, si Franca e Holanda.

Nga Franca thonë se Kosova duhet të punojë ende për përmbushjen e kushtit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.