Gërvalla flet se kur mund të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova ka aplikuar sot për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur nga Strasburgu, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Gërvalla ka thënë se datën se kur do të votohet që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës nuk e di askush, shkruan Reporteri.net.

“Është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Datën nuk mund t’ua thotë askush, për shkak se është proces i gjatë që ka nisur sot, proces që mendojmë se Kosova është e përgatitur për ta kaluar sa më shpejt. S’duhet të harrojmë që Këshilli i Evropës, ashtu edhe si BE dhe Evropa në përgjithësi ndodhen në fazë të jashtëzakonshme shkaku i luftës në Ukrainë”, ka deklaruar Gërvalla në RTK.

Ajo ka thënë se kohëzgjatja e këtij procesi varet edhe nga Kosova për kryerjen e obligimeve, por edhe nga gatishmëria e Këshillit të Evropës për të proceduar kërkesën.

“Teknikisht kërkesa jonë është pranuar sot nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Se di sa do të zgjasë procesi, varet edhe nga ne dhe përkushtimi ynë për kryerjen e obligimeve që kemi në këtë proces, por edhe në të njëjtën kohë nga gatishmëria e Këshillit të Evropës për ta proceduar kërkesën tonë, por edhe për t’u marrë intensivisht me të.

Anëtarësimi i Kosovës në KE është proces i natyrshëm që duhet të ndodhë. Ne shumë shpresojmë që edhe Serbia sikur shtetet e tjera të na përkrahin, por s’garantojmë për një gjë të tillë, sepse s’varet nga ne. Do t’punojmë për secilën votë që na nevojitet në fund të procesit për ta siguruar anëtarësimin “ ka thënë Gërvalla.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, dhe gjasat për të bërë anëtare janë të mëdha, sidomos tani kur Rusia është përjashtuar nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Profesori i Shkencave Politike Dritëro Arifi, tregon se cilat janë procedurat e mëtejme deri në anëtarësim dhe përfitimet që do t’i ketë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj, me pranimin në këtë organizatë.

Janë dy forma se si aplikohet për anëtarësim në KE. Njëra me vetë-aplikim dhe tjetra përmes ftesës që mund të bëjë ndonjë shtet anëtar, shpjegon profesori Arifi në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net.

“Shteti mund ta bëjë aplikimin vet apo nëse ndonjë shtet anëtar i KE’së mund ta ftojë shtetin që ka synim anëtarësimin”, thotë Arifi.

Momenti kryesor është ai i votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit, dhe këtu Kosova pritet të mos ketë problem, pasi shumica e vendeve anëtare, e kanë njohur shtetin kosovar.

“Aty bëhet aplikimi dhe komiteti i ministrave e angazhon Asamblenë Parlamentare që ta bëjë një verifikim të shtetit kërkues, që a i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret. Pastaj Asambleja Parlamentare e formon një komision i cili bën verifikimin e të gjitha akteve ligjore, pra i bën një skenim të ligjeve që duhet të plotësohen, siç është në këtë rast Karta Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Evropiane Sociale, Ligjet që lidhen me Pakicat Kombëtare, Ligjet për parandalimin e torturës, gjë të cilën Kosova i përmbush 100%. Votimi më pas bëhet në Asamblenë Parlamentare me 2/3 votave, me shumicë absolute që të kalojë. Për fat të mirë, Kosova, teknikisht i ka votat, por politikisht duhet të lobojë që të arrihet 2/3 e votave”, thotë profesori Arifi.
Ndërsa, sa i përket afateve dhe datës se kur mund ta fitojë Kosova statusin e anëtarit, sipas Arifit varet se sa kohë i merr Komisionit përpilimi i raportit.

“Kjo varet se kur Komisioni përfundon raportin përfundimtar, dhe pastaj caktohet data”.

Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në KE janë të shumëfishta, që nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar, e deri edhe të lehtësimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E para Kosova përfiton, duke bërë hap të rëndësishëm drejtë zhbllokimit të izolimit ndërkombëtar. Gjithashtu, bëhemi pjesë e një organizate që mbron të Drejtat e Njeriut, avancimin e tolerancës ndër etnike, ehe mbi të gjitha bëhet një lloj zyrtarizimi i subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtu nuk përfiton vetëm Kosova, por edhe demokracia liberale, pasi Këshillit të Evropës i shtohet edhe një vend demokratik që aspiron që të jetë në fazën e mëvonshme edhe anëtar i Bashkimit Evropian”, thotë profesor Arifi.