Gjenerallejtënant Bashkim Jashari po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi

Komandanti i FSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të homologut turk gjeneral Jashar Guler, komandant i Forcave të Armatosura të Turqisë, është duke realizuar një vizitë zyrtare në Turqi nga data 20-23 qershor.

Gjatë qëndrimit në Turqi, gjeneral Jashari nën shoqërimin e gjeneral Guler, u prit në takim zyrtar nga ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Në takim u diskutuan një sërë çështjesh duke filluar nga zhvillimet e sigurisë në Evropë, ato në rajon dhe sfidat në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Temë e veçantë diskutimi ishte mbështetja e Turqisë për Kosovën për pjesëmarrje në programin e Partneritetit për Paqe dhe drejt anëtarësimit në NATO.

Përveç tjerash, me ministrin e Mbrojtjes, gjeneral Jashari diskutoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e ngushtë nga shteti dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë drejt modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjeneral Jashari ka vizituar edhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Shtabin e Forcës Tokësore dhe Komandën e Forcave Speciale.

Vizitën zyrtare gjeneral Jashari e ka vazhduar në qytetin e Stambollit, ku është pritur me ceremoni nga kryetari i Komunës së Bajrampashës ku ka vizituar parkun “Adem Jashari”.