Gjermania dhe Franca paralajmërojnë krizën globale të ushqimit për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës

Rusia do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Finlandën

Një krizë globale ushqimore është në horizont për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, paralajmëroi të premten ministrja e Jashtme gjermane.

Në fjalën e saj hapëse në takimin e ministrave të jashtëm të G7, Annalena Baerbock akuzoi Rusinë për kryerjen e një “lufte hibride” dhe parandalimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase.

“Rusia nuk po lejon të eksportohen miliona tonë drithë. Ky është një rrezik i madh”, tha ajo.

“Dhe ne mund të shohim vetëm majën e ajsbergut, për momentin. Të gjithë e dimë se nëse kriza klimatike godet në verë në mbarë botën, situata do të përkeqësohet edhe më shumë”, shtoi ajo.

Baerbock tha se G7 e vendeve kryesore industriale ka rënë dakord të marrë përgjegjësinë e tyre dhe të veprojë shpejt për të adresuar këtë krizë të ardhshme.

Homologu i saj francez Jean-Yves Le Drian gjithashtu i bëri jehonë shqetësimeve mbi pasojat afatgjata të luftës veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore dhe kërkoi që bisedat në nivel ndërkombëtar duhet të fokusohen në rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Ai ishte i bindur se G7 do të arrijë marrëveshje për nisma të përbashkëta midis aktorëve të ndryshëm për të ndihmuar në shmangien e pasojave në furnizimin me ushqime të krizës ukrainase. “Është Rusia ajo që po shkakton krizën ushqimore dhe ne duhet të përpiqemi të frenojmë efektet negative,” tha ai.

Le Drian pohoi “unitetin e fortë midis anëtarëve të G7” për të vazhduar mbështetjen e luftës së Ukrainës për sovranitetin e saj kundër Rusisë “deri në fitoren e saj”. Si pjesë e mbështetjes afatgjatë, G7 do të takohet me ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Moldavisë dhe do të vazhdojë iniciativat mbështetëse në fushat ushtarake dhe financiare.

Ai nënvizoi se vendet e G7 nuk janë në luftë me Rusinë dhe po mbështesin “atë që sulmohet”.

Diplomati i lartë gjerman po pret takimin tre-ditor në resortin Weissenhaus të Detit Baltik.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe Ministri i Jashtëm moldav Nicu Popesku morën pjesë gjithashtu në takimin e së premtes si të ftuar./Balkanweb