Gjermania e do liberalizimin për Kosovën, Franca hesht

Ali Ahmeti: Me Serbinë i kemi dy rrugë, ose të luftojmë ose të merremi vesh

Të hënën ishin shefat e shefet e diplomacisë, kurse të martën, në Luksemburg, u takuan ata të punëve evropiane.

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, po bëjnë përgatitjet e fundit për samitin dyditor, më 23 e 24 qershor, në Bruksel, ku në datën e parë takohen liderët e bllokut me ata të Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesja e Gjermanisë, thotë se me patjetër duhet mbajtur zotimi për lëvizjen e lirë në zonën shengen të banorëve të Kosovës.

“Ballkani Perëndimor për ne dhe për disa shtete të tjera, ndodhet krejt lart në listën e prioriteteve tona. Të premten e 24 qershorit, Këshilli Evropian duhet të dërgoj 137 mesazh drejt Kosovës, që liberalizimi i vizave më në fund të ndodhë”, tha Anna Luhrmann, ministre gjermane për Evropën.

Nikoqiri i takimit, ministri francez Clement Beaune, foli në vija të trasha për perspektivën evropiane që duhet ofruar perëndimit të Ballkanit, Ukrainës e disa vendeve të tjera, por diçka konkrete për Kosovën nuk përmendi. Franca mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.

“Është mirë dhe e rëndësishme, që Austria dhe shtetet e tjera si Kroacia e Sllovenia, si dhe vendi që e mban presidencën, të bëjnë krejt çka është e mundur t’i ndihmojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor që të bëjnë hapat e ardhshëm. Ato vende po presin dëshpërueshëm tash e sa kohë që të bëhet hapi i radhës”, theksoi Karoline Edtstadler, ministre e Austrisë për Evropën.

Presidencën e Bashkimit Evropian, që ndërrohet çdo gjashtë muaj, nga 1 korriku e merr Republika çeke.