Gjykata Specialja deklarohet: Gucatit iu lejua vizita në Kosovë për arsye bindëse humanitare

Kurti deklarohet për aplikimin në Këshillin e Europës

Specialja konfirmon: Gucatit iu lejua vizita në Kosovë për arsye bindëse humanitare.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë e kanë konfirmuar se Hysni Gucati është lejuar të vijë në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, trupi gjykues ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë të Hysni Gucatit në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim në Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate për Klankosova.

Ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka ardhur nga Haga që të vizitojë babanë e tij, i cili po trajtohet në Spitalin e Mitrovicës.

Kujtojmë se Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku është duke qëndruar akoma.

Ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, dhe nënkryetari Nasim Haradinaj po gjykohen pasi kishin bërë publike dokumentet që dyshohet se kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale, të cilat ishin lënë në zyrat e tyre nga persona të panjohur.

Ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktgjykimi në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt do të shpallet më 18 maj.