Haradinaj bën homazhe te varret e vëllezërve Bytyqi në Nju Jork

Haradinaj po qëndron për në vizitë në SHBA.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe para varreve të tre vëllëzërve Bytyqi në Nju Jork, Yllit, Mehmetit dhe Agronit, të cilët ishin pjesë e Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së.

Haradinaj, i ka vlerësuar tre vëllezërit si shembuj të luftëtarit shqiptar.

“Ylli, Mehmeti e Agroni, të frymëzuar nga tradita atdhetare e familjes, u bashkuan në “Atlantikun” e UÇK-së, pa shikuar prapa. Pjesë e rreshtit të mbrojtësve të Kosovës, ata janë shembull i luftëtarit shqiptar, çlirimtar e jo pushtues, që kërkon lirinë e tij pa shkelur të drejtat e tjetrit”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka përmendur edhe nderimin që Kongresi Amerikan u ka bërë vëllezërve Bytyqi, për të cilët ka nxjerrë një rezolutë, përmes së cilës i kërkohej Serbisë që të vëjë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve.

“Këta trima me krenari i nderoi Kongresi Amerikan duke nxjerrë rezolutë për të vulosur edhe njëherë se Amerika dhe Kosova janë bashkë në mbrojtje të lirisë. Gjithmonë pranë familjes Bytyqi në betejën për drejtësi. Gjithmonë të përulur para veprës heroike të Vëllezërve Bytyqi”, ka shkruar Haradinaj.

Vëllezërit Bytyqi kishin ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe luftuan në Kosovë. Ata ishin rrëmbyen nga forcat serbe dhe më pas ishin vrarë.