Haradinaj kritikon Kurtin: A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyejnë ta lëshojnë vendin?

Shumë kritika janë adresuar për Qeverinë e Kurtit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të jetë i ashpër me kritika ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

Ai në postimin e fundit iu është referuar statistikave që thonë se 56 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për viza pune në veç një ambasadë, shkruan lajmi.net.

“A nuk ishit ju qeveria e shpresës?”, ka pyetur Haradinaj.

Postimi i plotë:

A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat.

Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyejnë ta lëshojnë vendin?

Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë.

Qeveria e këtij Kryeministri, me politika të majta ekstreme, frikësoi kapitalin vendor duke e nxjerrë jashtë dhe duke u ulur shuma e investimeve. Ajo përpos se nuk e përkrahu, krijoi armiqësi me sektorin privat.

Qytetarët po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentonjnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë. Me politikat majtiste ekstreme, ngjalljen e sentimentit anti-amerikan, ata po shkojnë rrugës së Chavez-it.

Qytetarët po ikin sepse po ndëshkohen me reduktime të energjisë e fatura të fryra për energjinë që qeveria e blenë po me paratë e tyre, përderisa qytetarëve në veri të vendit, iu paguan dhjetëra milionë për energji. Ata refuzuan dhe shkatërruan mundësinë e artë, që Kosova të bëhet fuqi energjetike në rajon, duke refuzuar edhe Kosovën e re edhe gazin amerikan, veç për të blerë energji me çmime dhjetëfish më të larta nga mafia energjetike.

Kryeministër, qytetarëve u është vjedhur shpresa përmes tenderomanisë, tenderëve njëburimor, klientelizmit, politizimit të bordeve dhe punësimeve të familjarëve të funksionarëve të partisë suaj.

Qytetarë të profesioneve të ndryshme po duan ta lëshojnë vendin, sepse qeveria Kurti nuk e ka në agjendë ligjin e pagave por luftën kundër sindikatave.

Në fakt, kjo qeveri po e lufton secilin që nuk mendon si kreu i saj, por kjo do t’i kthehet bumerang dhe nuk do të mund ta shpëtojnë militantët imagjinarë të internetit.

Mbi 50 mijë qytetarë po tentojnë ta braktisin vendin. Ky është një fakt pikëllues, është një alarm për Kosovën. Është tregues se kjo qeveri, nuk ka as vizion, as dije e as veprime qeverisëse.

RH.