“Hiqet” kufiri Kosovë – Shqipëri, pa ndalesa, vetëm me kamera sigurie

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të qarkullojnë pa ndalesa në kufirin me të dyja shteteve, para sezonit veror të vitit 2022.

Kështu është paralajmëruar në mbledhjen e sotme të të dyja Qeverive që po mbahet në Elbasan.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, u është përgjigjur kryeministrave, Kurti dhe Rama, për lehtësimin e lëvizjes mes kufijve.

Çuçi ka thënë se pika kufitare në Morinë do të jetë vetëm me kamera dhe nuk do të ketë ndalim.

“Nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës, në mbledhjen e fundit kemi marrë masat dhe ne nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vendosim një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë për sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës së kamerave dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë që të ndalojë fare në kufi”, tha ai.

Sipas tij, të bëhet shumë më shpejt sesa fillimi i sezonit të verës. Ministri ka shtuar se edhe për shkak të fluksit në kufi për Ditën e Flamurit më 28 nëntor, kanë kërkuar nga të dyja anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës për festën kombëtare. Kosova dhe Shqipëria, për të shtatën herë me radhë kanë nisur mbledhjen e përbashkët ndërmjet të dy qeverive.

Lajme me shume...