Historia e Borkicës me Gruevskin

Jetoi nën hijen e burrit të saj në kohën e plotfuqishmërisë së tij

Arsyeja për Borkica Madçeva-Gruevska, bashkëshortja e Gruevskit edhe sot e kësaj dite, e ka paraqitur kërkesën në Gjykatën për Çështje Civile në Shkup dhe është bërë publike pasi ish-kryeministri nuk jeton në vend.

“Para Gjykatës Civile të Shkupit, padinë e ka parashtruar paditësi Borkica Gruevska nga Shkupi, kundër të paditurit Nikolla Gruevski me adresë të panjohur, për shkurorëzim. Vlera e diferencës është 20.000 euro (…) Përfaqësuese e përkohshme e Gruevskit caktohet avokatja nga Shkupi, Gabriela Jaksevski”, njofton fokus.mk.

Çifti kanë jetuar ndaras që nga nëntori i vitit 2018, kur Gruevski iku në Budapest për të shmangur dënimin me burg, ndërsa gruaja e tij – së bashku me dy vajzat e tyre, Anastasia 15 vjeçe dhe Sofia 12 vjeçe, mbetën në Shkup. Gruevski shërbeu si kryeministër nga viti 2006 deri në fund të vitit 2016. Ai u akuzua për korrupsion dhe në vitin 2018 u arratis në Hungari, ku iu dha azil politik.

Ish-zonja e dytë e Shkupit, përkundër faktit se bashkëshorti i saj ka mbajtur një post të lartë për rreth 12 vjet, ka qëndruar larg ngjarjeve publike, duke e shoqëruar në mënyrë diskrete Gruevskin gjatë periudhës së plotfuqishmërisë së tij. Mbetet e diskutueshme, sipas mediave në Shkup, nëse ajo vetë e ka zgjedhur këtë qëndrim apo ia ka imponuar bashkëshorti i saj. Gjithsesi gjatë gjithë këtyre viteve ai i shmangej sistematikisht çdo përfshirjeje në iniciativa dhe aktivitete shoqërore, politike dhe dalje publike. Ajo gjithashtu nuk ka dhënë asnjë intervistë.

Fokus raporton se “historia e dashurisë” e Gruevskit ishte “një temë tabu për të cilën ish-kryeministri nuk ka dashur të zbulojë detaje”.

Borkica u takua me Gruevskin në moshën 22-vjeçare, menjëherë pas divorcit nga gruaja e tij e parë, mjekja pulmoniste Suzana Arbutina. Gruevski u divorcua nga Arbutina pas rreth katër vitesh martesë, në fund të vitit 2005 dhe pas disa muajsh, në verën e vitit 2006, u shfaq publikisht me Borkicën, në një koncert në Ohër.

Në atë kohë, vajza e përulur me flokë bjonde të errëta kishte pas përvojën e saj pesëvjeçare të punës si konsulente në Departamentin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Komisionin e Letrave me Vlerë pas diplomimit në Fakultetin Juridik në Shkup.

Borkica, ose siç e thërrisnin të afërmit e saj, Boka, dhe Nikolla bënë një dasmë në hotelin Holiday Inn në Shkup, me rreth 180 të ftuar, në maj të vitit 2007. Ajo atëherë ishte 24 vjeç dhe burri i saj 36.

Lidhur me unazat e martesës, në atë kohë nga zyra e Gruevskit thanë se të porsamartuarit i kishin blerë nga një argjendari në Shkup me një çmim prej rreth 50 euro, ndërsa fustani i nusërisë dhe kostumi i dhëndrit ishin prodhim vendor.

Vajzat e çiftit kanë lindur në një maternitet privat. Anastasia në 2007 dhe Sofia tre vjet më vonë. Edhe pse tani janë adoleshente, ndryshe nga moshatarët e tyre, ata nuk kanë profile në rrjetet sociale dhe janë parë për herë të fundit në publik në korrik 2018, vetëm pak muaj para se babai i tyre të largohej nga vendi.

Ndonëse ka gati katër vite që jeton në Budapest, Gruevski është aktiv në rrjetet sociale dhe rregullisht komenton ngjarjet aktuale politike në vend. Vitin e kaluar u zbulua se ai zotëron një kompani në Hungari që shet enë qelqi, porcelani, produkte pastrimi dhe mallra të tjera. Sot ai trajtohet si “barrë” edhe nga partia nacionaliste VMRO-DPMNE, kryetar i së cilës ishte nga viti 2002 deri në vitin 2016. /tesheshi.