Hoti thotë se është dëm i madh që po hapen dilema për ndërtimin e rrjetit të gazit

Lajçak nesër takohet me Vuçiqin, flasin për Kosovën

Projekti i gazit natyror ka sjellë reagime të shumta.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se dilema për ndërtimin e rrjetit të gazit është dëm i madh për Kosovën.

Hoti ka kujtuar se ka kohë që Korporata amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz.

“Është dëm i madh hapja e dilemave se a duhet të ndërtohet rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz. Në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka shtuar se gjatë kohës sa vetë ishte kryeministër, është finalizuar lista e projekteve për t’u përfshirë në financimin nga MCC-ja, përfshirë edhe çështjen e fazit.
“Gjatë kohës sa kam qenë kryeministër, kemi finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Hoti

“As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA. Është dëm i madh që tani hapen këto dilema, në veçanti pasi Presidenti Biden e ka njoftuar Kongresin se e ka ndarë shumën prej 200 mil dollarë për projekte të MCC-së në Kosovë”, ka shtuar ish-kryeministri.

Projekti i gazit, sipas Hotit ka dimension gjeopolitik, përveçske ekonomik. Ai thotë se këto dimensione po neglizhohen apo s’po kuptohen nga Qeveria.

“Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientialist. Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale”, shkroi Hoti.