Ilir Meta mban fjalim në Kuvendit e Kosovës: Shqipëria e Kosova duhet të bashkëpunojnë më strategjikisht tash e tutje

Rast i rrallë: Bullgaria kthen foshnjen shtatëmuajshe nga Kosova

Meta në Kuvend: Shqipëria e Kosova duhet të bashkëpunojnë më strategjikisht tash e tutje.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur për një seancë të veçantë për adresimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili zgjodhi Kosovën si vizitën e tij të fundit zyrtare në përfundim të mandatit të tij si President.

Meta para ligjvënësve kosovarë ka lavdëruar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilat tha se i kanë rrënjët te historia, por tha se ka potencial ende të pashfrytëzuar për bashkëpunim.

“Kjo lidhje e pandashme Shqipëri-Kosovë i ka rrënjët te gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm nga Gjergj Kastrioti te Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova. Forca ripërtëritëse e marrëdhënieve tona qëndron gjithmonë tek njerëzit, këndej e andej kufirit. Ata e kanë mbrojtur përbashkësinë e së shkuarës, ata e mbajnë gjallë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj ky vullnet i patjetërsueshëm kërkon një devotshmëri edhe më të madhe politike për të bashkëpunuar edhe më suksesshëm”.

Për shkak të rrethanave të reja të krijuara nga konflikti në Ukrainë, Meta në përfundim të mandatit la një porosi për udhëheqësit e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale të mundshme. Edhe për shkak të kontekstit të ri gjeopolitik duhet të bashkëpunojnë edhe në mënyrë më strategjike se tani”.

Presidenti Meta tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Me të drejtë krenohemi që kemi vendosur një bazament ligjor shumë të gjerë dhe shumë të mirë, por suksesin e bashkëpunimit duhet ta masim me rezultate sa më konkrete”.

Ai në Kuvendin e Kosovës përmendi edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe tha se lufta e saj duhet të ruhet e pastër.

“Të kujdesemi që kjo luftë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do të triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë”.

Meta po ashtu lavdëroi edhe demokracinë në Kosovë, duke thënë se është për t’u marrë shembull, derisa tha se është edhe argument për shtetësinë e merituar të Kosovës.