Inspektorati Policor merr masa ndaj zyrtarit policor që e rrahu të lidhur qytetarin në Prizren

Ministria e Shëndetësisë thërret konferencë për media pas rritjes së rasteve me koronavirus

IPK merr masa ndaj zyrtarit policor që e rrahu të lidhur qytetarin në Prizren.

Sot u publikuan pamjet, ku shihet se dy zyrtarë policorë në Prizren rrahin një qytetar, i cili dërgohet brenda zyrës me duar të lidhura. Për këtë rast është deklaruar Inspektorati Policor i Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga IPK kanë thënë se kanë pranuar ankesë nga një qytetar, i cili është ankuar për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë në Prizren.

Sipas IPK-së, ngjarja ka ndodhur më 17 janar të vitit 2021 në Prizren, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprime konkrete hetimore.

IPK, në konsultim me prokurorinë kompetente, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj një zyrtari policor dhe është dhënë rekomandimi për suspendim nga detyra.

“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj një zyrtari policor të dyshuar në këtë rast është bërë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” si dhe në interes të hetimit është dhënë rekomandimi për suspendim nga detyra”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë treguar se rasti ka ndodhur para një viti.

“Kemi të bëjmë me një rast të rreth një viti më përpara, dhe lidhur me këtë rast me kohë janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme procedurale me kohë, ku zyrtarët policor kanë qenë të suspenduar, kanë marr masat ndëshkuese në pajtim me ligjet dhe procedurat e parapara për raste të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.