Ish-diplomati serb: Scholz ka nisur ofensivën në Ballkan, gjermanët duan marrëveshje me njohje reciproke

Arbana Xharra tregon arsyen pse Kurti e Osmani nuk u priten nga zyrtarët e lartë në SHBA

Ish-diplomati serb Zoran Milivojeviq, beson se ofensiva e Kancelarit Scholz paraqet një strategji të Berlinit zyrtar që Ballkani Perëndimor është në top interesat e qeverisë së re gjermane.

“S’ka dilema me gjermanët, janë të qartë dhe direkt në gjithçka dhe atë që e thonë e mendojnë përnjëmend”, tha Milivojeviq pas vizitës së Emisarit të Scholz në Beograd, Manuel Sarrazin dhe takimeve të tij me Vuciqin dhe Kurtin.

Kur vjen puna te zgjidhja e çështjes së Kosovës, ish-diplomati serb thotë se Gjermani pret që të gjendet një zgjidhje e bazuar në njohje reciproke që e konfirmon shtetësinë e Kosovës në kufinjtë aktual.

Ai tha se Gjermania kërkon nga Serbia që ta bëjë të qartë qëndrimin karshi bashkëpunimit me Rusinë.

“Në anën tjetër, Gjermania është në favor të zgjerimit të BE-së, por nuk varet vetëm nga ta, por edhe nga Franca, presidenti i së cilës Macron haptazi u dha prioritet reformave të BE-së në Parlamentin Evropian”, tha ai.

Javën e kaluar, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ftoi kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuciq në Berlin. Dy liderët i takoi ndaras, por insistimi i tij bëri që Kurti e Vuciq të ulen në një darkë pune me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajcak pas gati një viti kur edhe ishte takimi i tyre i fundit në korrik të vitit të shkuar.