Këto marrëveshje priten të arrihen në takimin e 13 majit mes Kosovës dhe Serbisë

Disa çështje do të diskutohen në takimin e Serbisë dhe Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj. Ky takim do të zhvillohet në nivel kryenegociatorësh.

Tema diskutimi pritet të jenë gjetja e një zgjidhje të përhershme për punën e targave, mos-pagesa e energjisë elektrike në veri të vendit dhe nevoja për ta përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Por, cilat janë pritjet për këtë takim dhe çfarë marrëveshjes mund të arrihen?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se në takimin e 13 majit, shpreson të gjendet zgjidhje tri çështje. Ai ka deklaruar se për këto tema kanë diskutuar edhe mbrëmë, në darkën që u shtrua në Berlin për të dhe Vuçiqin.

“Ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve dhe e kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve.

Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhjen reciproke të targave si dhe mos-pagesës së energjisë në veri dhe po ashtu për nevojën për të përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë”, ka deklaruar Kurti.

Pritje të mëdha nga ky takim ka edhe Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila qëndroi sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë një konference të përbashkët me Kurtin, ajo tha se shpreson se në takimin mes kryenegociatorëve që do të mbahet më 13 maj, do të ketë vendime të mira, shkruan Reporteri.net.

Ministrja gjermane ka përmendur njohjen reciproke të dokumenteve, duke thënë se do të ishte sinjal i mirë.

”Ne do t’ju qëndrojmë përkrah në rrugën e procesit të anëtarësimit të Kosovës si një vend partner mbështetës, dhe këtu duhet të bëhet e qartë se cilët hapa janë të qartë të ndërmerren në procesin e përafrimit në dialog dhe shpresoj të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin edhe vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve në këtë aspekt dhe do të ishte një sinjal i mirë”, ka deklaruar Lambrecht.

Ndryshe, Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mbrëmë pas darkës që u shtrua në Berlin për Kurtin dhe Vuçiqin.

“Mirëprita mundësinë për një darkë joformale me kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq, ku diskutuam edhe për dialogun. Mirënjohës ndaj Qeverisë së Gjermanisë për pritjen. Më 13 maj do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në Titter.