Kharkivi pritet të kthehet në kontrollin e ukrainasve

Qeveria ukrainase u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që të ndihmojnë edhe në evakuimin e ushtarëve që po mbrojnë fabrikën e çelikut. Sipas vlerësimeve të ditëve të fundit nga Rusia, afër 2 mijë ushtarë ukrainas kanë mbetur në fabrikë. Ata vazhdimisht kanë refuzuar të dorëzohen.

Qyteti i Kharkivit është bombarduar vazhdimisht që prej fillimit të luftës. Deri më tani nuk është publikuar asnjë shifër e njerëzve të vrarë në betejën për qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Mirëpo sipas vlerësimeve të ekspertëve amerikanë, beteja për Kharkivin mund të jetë në fazën vendimtare.

Instituti për Studime të Luftës ka bërë të ditur se forcat ukrainase shumë shpejtë mund të çlirojnë Kharkivin nga kërcënimi i artilerisë ruse dhe të sigurojnë qytetin vendimtar në betejën për rajonin e Donbasit.

Ndërkaq në lindje të Ukrainës, forcat e Moskës kanë avancuar ngadalë përreth qytetit Severodonetsk. Komandantët e ushtrisë ukrainase për këtë pjesë, kanë bërë të ditur se forcat gati janë rrethuar nga rusët.

Betejë vendimtare është raportuar edhe në Mariupol. Fortifikata e fundit e ukrainasve, fabrika e çelikut, u ka rezistuar bombardimeve ruse, ndërkaq 50 civilë janë evakuuar të premten. Evakuimi i tyre është bërë pas angazhimit të Kombeve të Bashkuara që të largojë nga fabrika dhe qyteti më shumë se 1 mijë civilë, të cilët janë fshehur nëpër tunelet dhe bunkerët e fabrikës.

Në ditët e fundit janë evakuuar më shumë se 500 civilë, të cilët janë lejuar të largohen nga territori i fabrikës së çelikut.

Qeveria ukrainase u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që të ndihmojnë edhe në evakuimin e ushtarëve që po mbrojnë fabrikën. Sipas vlerësimeve të ditëve të fundit nga Rusia, afër 2 mijë ushtarë ukrainas kanë mbetur në fabrikë. Ata vazhdimisht kanë refuzuar të dorëzohen.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se “shtete me ndikim” janë përfshirë në shpëtimin e ushtarëve, ani pse nuk ka përmendur shtetet me emra.

“Jemi duke punuar në mundësitë diplomatike që të shpëtojmë ushtarët tanë që janë ende në Azovstal’, ka thënë Zelenskyy të shtunën në mëngjes.
Teksa kanë vazhduar bombardimet në fabrikën e Mariupolit, forcat ruse kanë dështuar në aksionet e tjera nëpër Ukrainë gjatë këtyre dy muajve. Të premten, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se që prej fillimit të luftës në Ukrainë janë vrarë më shumë se 6 mijë civilë, ndërkaq kanë ikur miliona të tjerë .

Në ditën e evakuimit të civilëve nga Mariupoli, presidenti amerikan, Joe Biden, ka konfirmuar pakon e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Ai ka bërë të ditur se 150 milionë dollarë ndihma pritet të nisen drejt Ukrainës. Pakon e ndihmave e ka konfirmuar sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Unë kam autorizuar 150 milionë dollarë në armë, pajisje dhe furnizime shtesë amerikane për Ukrainën për të forcuar mbrojtjen e saj ndaj ofensivës së Rusisë në lindje”, ka thënë Blinken. Në pakon e re të ndihmave janë përfshirë 25 mijë fishekë artilerie, pajisje kundër ajrore, pajisje të terrenit dhe të tjera. Ndërkaq, Bideni ka theksuar se SHBA-ja me aleatët e saj kanë qenë kyçe në ndihmën e Ukrainës që të fitojë shumicën e betejave kundër Rusisë.