Kina nuk ka interesim të ndjekë shembullin e Evropës për të krijuar varësi ndaj Rusisë

Që kur Putini vendosi të pushtojë Ukrainën më 24 shkurt, lufta e tij është financuar masivisht nga tregtia e naftës dhe gazit, sidomos drejt Evropës.

Por, ndërkohë që BE nisi të kërkojë alternativa për të shpëtuar nga varësia e saj ndaj gazit rus, Putini rriti eksportet e tij drejt Kinës – madje ai nënshkroi edhe një marrëveshje 30-vjeçare gazi që përfshinë ndërtimin e një gazsjellësi të ri për të lidhur dy shtetet.

Ama mesa duket, Kina nuk është aspak e interesuar të ndjekë shembullin e Europës duke krijuar një varësi krejt të sajën ndaj Rusisë.

Së fundmi, Cheniere Engergy Inc – i cili është eksportuesi më i madh i gazit të lëngshëm në SHBA, konfirmoi një marrëveshje të re madhore me shtetin kinez.

Ditën e djeshme, ata nënshkruan një marrëveshje plot 24-vjeçare me kompaninë shtetërore kineze PetroChina Co. për shitjen e 1.8 milionë tonëve gaz në vit deri në vitin 2050.

Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Putin kishte kufizuar furnizimin me gaz drejt Europës pikërisht sepse tregu kinez mendohej të ishte garancia e tij e palëkundur.

Një marrëdhënie më e ngushtë mes Kinës dhe SHBA-së mund t’i trazojë ujërat në Moskë, pasi Kinës mund t’i duhet t’i bashkohet vendeve perëndimore në qëndrimin e tyre kundër luftës në Ukrainë.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kina ka mbajtur një qëndrim relativisht neutral edhe pse ajo ka refuzuar ta dënoi vendimin e Putin dhe ka votuar kundër sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.

Tashmë, Kina duket se po luan me dy porta, duke nënshkruar një marrëveshje 30-vjeçare nga njëra anë me Rusinë, dhe një tjetër marrëveshje 24-vjeçare më SHBA-në nga ana tjetër.

Disa mund ta mendojnë këtë një akt tradhtie të Kinës ndaj Rusisë. Të tjerë mund ta shohin atë thjesht si një lëvizje biznesi.

Ama, diçka është e qartë – Kina po refuzon të jetë e varur për energji qoftë nga Rusia, qoftë nga SHBA.

Sidoqoftë, sipas një zyrtari të lartë të Pekinit, gjigandi i gazit rus Gazprom, ka pranuar t’i dërgoi Kinës 10 miliardë metër kub gaz në vit.

Kjo është një sasi shumë më e madhe nga ajo që do të vij nga Shtetet e Bashkuara, ndaj mesa duket Kina mund të jetë ende pak më e varur nga Rusia për energji se sa nga SHBA-ja. /euronews