Konfirmohet, s’ka takim Kurti-Biden

Pas reagimeve të shumta në vend ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në SHBA, këshilltari i tij politik Jeton Zulfaj ka treguar për takimet që kreu i Qeverisë do të bëjë atje.

Zulfaj theksoi se Kurti nuk do ta takojë presidentin e SHBA-së Joe Biden, përveç se nëse ky i fundit e sheh të rëndësishme.

“Ne nuk jemi duke pritë një vizitë nga presidenti i SHBA-së Biden, ai nëse e sheh të rëndësishme e të nevojshme… nuk mundesh me taku presidentin Biden pa një kërkesë për vizitë, edhe pa një qëllim të vizitës, edhe pa ndodh një nevojë e tillë për vizitë”, tha ai në Tëvë 1.

Ai shtoi se SHBA-ja është e kënaqur me progresin ekonomik të Kosovës, pasi siç thotë ai, vendi është bërë “shpresëdhënës për krejt Ballkanin Perëndimor”.

“E kemi një luftë në Evropë, në Ukrainë, ku e gjithë vëmendja është atje. Për fatin e mirë të Kosovës, nuk jemi as vend problematik, as kaotik…dhe jemi vend demokratik. Pra SHBA-ja janë të kënaqur me progresin tonë ekonomik e demokratik. Janë shumë të kënaqur, sepse jemi bërë shpresëdhënës edhe për krejt Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Zulfaj.