Konfiskohen nga Policia 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave në Shtime

Policia konfiskon 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave në Shtime.

Policia e Kosovës sot pasdite ka konfiskuar 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave, pa dokumentacion në një fshat të komunës së Shtime.

Operacioni policor është zhvilluar në një shtëpi të pabanuar, te një person i dyshuar A.G. i moshës madhore. Në këtë rast janë ftuar edhe një njësi e KEDS-it.

Për të gjitha këto veprime të Policisë Rajonale të Ferizajt është njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, për veprime tjera hetimore.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. “Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar në fillim të këtij muaji prodhimin e kriptovalutave.

Vendimi është marrë me rekomandimin e Komisionit Teknik për Masa Emergjente, i cili merret me çështjen e furnizimit me energji elektrike në Kosovë gjatë krizës energjetike.

Lajme me shume...