Koordinimi i Kurtit me ndërkombëtarët, çfarë deklaroi Hovenier e çfarë Rohde

Çitaku: Të dielën pamë një shfaqje kaotike

Veriu i Kosovës ka qenë temë e diskutimit javëve të fundit.

Pas tensioneve në veri, “koordinimi me ndërkombëtarët” ishte shprehja kyçe në Kosovë.

Pas akuzave të opozitës kundrejt Kryeministrit Albin Kurti, ambasadori amerikan tha se Qeveria ishte koordinuar me të. Me një qëndrim, më të nuancuar, doli ambasadori gjerman Jorn Rohde. Ai pas takimit me Presidenten Osmani tha se koordinim pati vetëm për shtyrjen e vendimit deri në shtator edhe pse mbështeti qeverinë për dy vendimet. BE ndërkaq ishte më “neutrale”, qortoi Kosovën për veprime të njëanshme dhe serbët në Veri që vendosën barrikada.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, u përfshi në çështjen e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targa dhe dokumente, që prej të dielës mbrëma, kur u tensionua situata në veri.

Pasi atje u vendos qetësia, si për t’ia ndihmuar Kurtit, Hovenier shoi akuzat dhe hamendësimet e opozitës se Kryeministri kishte vendosur të zbatonte reciprocitetin në krye në vete.

“SHBA-ja e mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumenteve për hyrje/dalje – të dyja masat janë plotësisht në linjë me marrëveshjen e Brukselit dhe kanë qenë të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar”, kishte shkruar Hovenier.

Ndërkaq Bashkimi Evropian u deklarua vetëm të nesërmen, për të qortuar Kosovën dhe Serbinë që një natë më parë u shkaktuan tensione në veri.

Reagimi i BE-së linte të kuptohej se e konsideron të njëanshëm dhe të pakoordinuar me të, vendimin e Qeverisë së Kosovës që të vendosë masa reciprociteti ndaj Serbisë, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në Bruksel.

“Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Nga BE-ja në fakt u tha se ideja e shtyrjes së zbatimit të vendimit ishte e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrell.

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrelit për shtyrje për 1 muaj të vendimit për reciprocitetit”, ka shkruar Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serb.

Me aq sa tha ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, Gjermania kishte qëndrimin e ngjashëm me atë të BE-së. Rohde foli vetëm për koordinim për t’u shtyrë zbatimi i reciprocitetit, por jo edhe për vendosjen e tij.

“Më vjen mirë që e takova sot Vjosa Osmanin për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit, duke përfshirë vendimin për të shtyrë zbatimin e vendimeve për targave dhe dokumentet për hyrje/dalje, në koordinim me SHBA-në me Bashkimin Evropian. Unë e nënvizova që vendimet janë legjjitime dhe në përputhje të plotë me marrëveshjet e Brukselit”, ka shkruar ambasadori gjermani, të martën.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që nga 1 gushti të hynte në fuqi vendimi, sipas së cilit, nuk lejohen targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia për Kosovë. Ndërsa do të vendosej reciprocitet për mospranimin e dokumenteve identifikuese të lëshuara nga Serbia, ashtu sic nuk pranohen dokumentet e Kosovës për të hyrë në shtetin serb.

Masat u shtyn për një muaj, me kërkesë të ambasadorit amerikan, pas tensioneve në veri.

Disa orë para hyrjes në fuqi të vendimit të paralajmëruar të Qeverisë, serbët vendosen barrikada në rrugën që çon te pikëkalimet Bërnjak dhe Jarinjë, në veri të vendit. Ato u larguan, pas vendimit për shtyrje të reciprocitetit.