Kosova arriti marrëveshjen për energjinë me Serbinë, Kurti e përshëndeti

Çfarë përmbante Marrëveshja për Energjinë 2013 – dallimet me Marrëveshjen e 2022-së të nënshkruar në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri.

Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se ky dakordim i jap rrugë zbatimit të këtij udhërrëfyesi i cili mundëson inkasimin e energjisë elektrike të shpenzuar në komunat veriore.

“Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje. Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, theksoi ai.

Këto komente Kurti i ka bërë pas tryezës së organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me temën “E drejta për gjykim në kohë të arsyeshme”.

Kurti tha se detajet e kësaj marrëveshje do t’i shpalosë kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.

“Ka disa elemente brenda kësaj marrëveshje të cilat mendoj që më së miri është t’i shpalos vetë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi i cili do ta bëjë këtë me tu kthyer në Kosovë mbase edhe pa u kthyer”, u shpreh Kurti.

I pyetur se udhërrëfyesi i sotëm është për një marrëveshje që si Lëvizje Vetëvendosje e kanë kundërshtuar, shefi i qeverisë, Albin Kurti tha se kanë trashëguar gjëra që nuk kanë dashur, por po mundohen ta bëjnë më të mirën.

“Ne po e mundësojmë inkasimin, kemi trashëguar shumë gjëra që nuk i kemi dashur, por e kemi bërë më të mirën që mundemi e dimë në rrethanat që kemi”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është njoftuar edhe për takimet që ka zhvilluar ky i fundit me të paraburgosurit në Hagë.

“Ai më tregoi që ka diskutuar me të gjithë ata që po mbahen në Hagë për shkak se si kryetar i Kuvendit të Republikës ai e udhëheq institucionin që në fakt është bërë amendamentimi i Kushtetutës në vitin 2015 që i ka hapur rrugë asaj që e quajmë Gjykatë Speciale dhe e ka konsideruar si përgjegjësi të tij që t’i dëgjoj ata të cilët po mbahen në paraburgim e mbase do të dëgjojë dhe të tjerë për shkak se si drejtues i organet më të lartë përfaqësues e ligjvënës në Republikën tonë e ka konsideruar përgjegjësi dhe me siguri që i takon kryetarit, Konjufca se çfarë idesh mund të kemi për rrugën përpara në mënyrë që të rritet transparenca”, theksoi ai.

Miratimi i udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri sot është bërë në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislmi dhe shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq. Marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në vitin 2013 dhe konfirmuar më 2015.