Kosova dhe Izraeli sot nënshkruajnë memorandumin e parë të mirëkuptimit

Në festën e Rusisë, Serbia nis avionët lufttarakë afër kufirit me Kosovën

Kosova dhe Izraeli do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi, i cili njëherit është edhe memorandumi i parë që kur Izraeli njohi pavarësinë e Kosovës.

Kështu u bë e ditur në një njoftim për media nga Qendra Përkujtimore Botërore e Holokaustit, Yad Vashem.

“Më 9 maj, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, do të vizitojë Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit. Ministrja Gërvalla-Schwarz do të vizitojë Muzeun Historik të Holokaustit, do të marrë pjesë në një ceremoni në Sallën e Kujtesës, do të vizitojë Memorialin e Fëmijëve dhe do të nënshkruajë Librin e të ftuarve Yad Vashem.

Gjatë vizitës së saj, ministrja do të nënshkruajë memorandumin e parë të mirëkuptimit duke i vendosur zyrtarisht marrëdhëniet formale mes Shkollës Ndërkombëtare për Studime të Holokaustit, Yad Vashemm dhe MASHTI-t në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Yad Vashem ka një rrjet ndërkombëtar shkollash dhe ofruesish shërbimesh arsimore në gjashtë kontinente.

Ndryshe, ministrja Gërvalla është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Izrael, ku gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike të Izraelit, Uriel Lynn, anëtarin e kryesisë Roy Roznek si dhe përfaqësues të tjerë të Odës. Më pas delegacioni i Republikës së Kosovës vizitoi Universitetin Bar Ilan në Tel Aviv.

Dita e parë e vizitës në Izrael u përmbyll në Jerusalem me një darkë pune, në të cilën ishin ftuar gra prominente izraelite si Dana Ëeiss, gazetare dhe analiste e njohur politike në Chanel 12, Avital Leibovich, drejtuese e Komitetit Amerikano-Hebraik në Jerusalem, Dr. Granit Almog-Bareket, drejtuese e njësisë për lidership në fushën e edukimit pranë institutit Mandel, Dana Gavish, themeluese e qendrës së ndërmarrësisë Yazamut 360 pranë Universitetit Ben Gurion, Hana Rado, themeluese e Social Enterpreneur-Supersonas dhe Grupi 19 dhe Mirit Frenkel, drejtuese e “Sunrise”.